Rrëfimi i Bakajt: Më kërkoi Jurgen Klop, por presidenti i çmendur donte 3 milionë euro

Elis Bakaj është kthyer në një nga emrat më të njohur në kampionatin bjellorus të futbollit me fanellën e Shakhtior Soligorsk, e padyshim një emër jashtëzakonisht i njohur në futbollin shqiptar. Por karriera e lojtarit mund të kishte qenë plotësisht ndryshe dhe ai do të ishte bërë një emër edhe më i njohur nëse Dinamo nuk do të kishte penguar një transferim të bujshëm të tij në Bundesligë, për t’u bërë pjesë e Borusia Dortmund.

Ka qenë vetë sulmuesi i cili në një intervistë të dhënë për mediat në Bjellorusi ka treguar se si Jurgen Klop e kishte ndjekur dhe ishte interesuar për të, duke dërguar skaut, por gjithçka ishte prishur nga kërkesat e larta që kishte asokohe presidenti Besnik Sulaj te Dinamo.

“Te Hanoveri shkova për provë në vitin 2010 dhe punova një javë me ekipin. Si përfundim, trajneri (Mirko Slomka) tha ‘mua më pëlqen, ai mund të qëndrojë’. Por drejtori sportiv ishet kundër. Ai nuk arriti të gjente akordin me menaxherin tim. Gjithsesi, ishte një opsion ashtu-ashtu.

Në vitin 2009 unë u transferova për 100 mijë euro nga Partizani te Dinamo, transferimi i parë në historinë e kampionatit shqiptar. Në atë periudhë kisha luajtur shumë ndeshje për Partizanin, isha pjesë e ekipit kombëtar dhe një vit më vonë kisha shansin real të firmosja me Borusia Dortmund.

Por presidenti im, një njeri i çmendur, kërkoi që Dortmundi të paguante 3 milionë euro. Është histori e vërtetë! Erdhën njerëz nga Gjermania që të më shihnin dhe të regjistronin video për Klop. Informacionet që ai nuk ishte kundër afrimit tim dolën edhe në mediat gjermane, por presidenti i Dinamos filloi të fliste për 2-3 milionë euro… Unë e kuptoj shumë mirë që nuk do të isha pjesë e ekipit të parë, do të filloja nga skuadra e dytë, por gjermanët dëshironin të më shihnin pjesë të tyre dhe mund të kisha shkuar në Bundesligë”, ka kujtuar Bakaj këtë histori të veçantë të karrierës së tij. /vipsport.al/