Rrëfehet kapiteni Gilman Lika: Klubi të nis sa më shpejt punën për Superioren, Vllaznia ka nevojë për tifozët

Gilman Lika kapiteni i Vllaznisë, i ftuar në emisionin “E hëna sportive” në “Rtshsport”, tregon sezonin tashmë që skuadra edhe matematikisht ka siguruar Superioren. Sipas Likës, skuadra shkodrane ka komanduar garën dhe duhet që të rikthehet në Superiore si në ditët e saj më të mira dhe jo të luftojë thjesht për mbijetesë. Ndaj edhe drejtuesit, sa më shpejt duhet që të organizohen për vitin tjetër : “Falë bashkëpunimit të gjithë, klub, staf dhe lojtarë bëmë sakrificë për qytetin dhe fanellës sepse ne shkodranët e ndiejmë, falë zotit u rikthyem në elitë. As vetë nuk e  kemi kuptuar fillimisht se ku po luanim, na dukej çudi që të luanim në të Parën. E kemi mbyllur sezonin shumë shpejt, madje edhe matematikisht”.

Objektivi

“Rikthimi i Vllaznisë pritej që në shtator dhe të gjithë e quajtën favorite. Opinioni na vuri në presion dhe në qoftë se do të bënim gabimin më të vogël do të ishim në qendër të vëmendjes, jo vetëm në Shkodër, por edhe nga mbarë opinioni futbolldashës dhe media. Na rëndoi disi, por kur u krijuan diferenca e pikëve, u mësuam edhe me garën e Kategorisë së Parë dhe ishim më të qetë”, – shtoi mes të tjerash Gilman Lika.

Presionet

“Një nga shkaktarët që na kanë prishur punë kanë qenë edhe terrenet. Nuk krahasohen kurrë me Superioren, madje fusha e Peqinit është një fushë që nuk duhet të ekzistojë as në Kategorinë e katërt. Madje edhe “Reshit Rusi” është shumë problem. Më mirë të luash në asfalt se atje. Është shumë e degraduar”. Shpresojmë që ndeshjet e Superiores të jenë në “Loro Boriçi” dhe të ketë më shumë tifozë, spektakël dhe atmosferë”.

Këshilla

Gilman Lika ka mbajtur shiritin e kapitenit, por në Shkodër meriton respekt sepse pati shumë oferta nag Superiorja dhe jashtë vendit, ndaj edhe si lideri i kuqebluve ka edhe një këshillë për drejtuesit. “Ky duhet që të jetë një mësim për të gjithë ne në mënyrë që të mos jetë rikthimi në Superiore thjesht kalimtarë. Vllaznia duhet që të rikthehet dhe të jetë në nivele të larta”.

Trajnerët

“Gjej rastin që të falënderoj trajnerin Hasan Lika. Në atë moment që ka ardhur ai ekipi ka pasur shumë nevojë vetëm për motivim. Thuajse ishin tërë lojtarët e Superiores. Ndaj edhe trajneri Lika meriton respekt shumë sepse ka punuar shumë psikologjikisht për ne. Trajneri Lika ka qenë një njeri shumë i mirë me atë që ka bërë në Shkodër dhe kam pasur marrëdhënie shumë të mira me të. Jam ndier shumë keq kur e kam marrë vesh që do të iki jashtë vendit. Por edhe trajneri Agim Canaj, ndonëse punën më të madhe e ka bërë Lika, mendoj se edhe Canaj ka punuar mirë, ka eksperiencë ”.

Drejtori Firat

“Është një njeri që ka mentalitet thuajse të përafërt me ne. Mendoj se ka bërë një punë të mirë. Në të ardhmen mbetet për t’u parë. Qëllimi i të gjithëve këtë sezon ishte që të gjithë bashkë të kontribuonim që ta rikthenim në elitë dhe ja dolëm”.

E ardhmja

“Besoj se edhe për Superioren drejtori dhe administratori janë duke bërë lëvizjet e duhura që Vllaznia të jetë në nivele të larta. Unë mendoj se nga skuadra e këtij sezoni, në Superiore mund të jenë edhe shumica e lojtarëve sepse kanë kontratë. Por, në Superiore mendoj se Vllaznia ka nevojë edhe për shumë përforcime të tjera për të qenë aty ku ne e duam të gjithë”.

Tifozët

“Në fund Lika foli për tifozët: “E kanë ndier shumë dhe duhet që t’i rregullojmë raportet. Klubi duhet që të bëj të pamundurën, por edhe ne lojtarët. Në Shkodër jetojnë me futbollin. Kur Vllaznia ka 5-6 mijë vetë në stadium, e ka më të lehtë që të fitojë. Gjëja e parë që klubi duhet të bëj të përmirësojë politikat me tifozët. Klubi duhet të realizojë kërkesat e tyre”.

E.S./Vipsport.al/