Rikthimi në Superiore, flasin protagonistët e Vllaznisë/ Firat vë në “sedër” Licin, trajneri Canaj e ndan suksesin me Likën

Me fitoren e arritur dje ndaj Erzenit në Shijak, Vllaznia është rikthyer edhe matematikisht në Superiore, ndonëse duhen edhe 4 javë që të mbyllet gara zyrtarisht. Shkodranët kanë 12 pikë më shumë se Besëlidhja që mban vendin e dytë, por për shkak të golaverazhit më të mirë në ndeshjet direkt, shkodranët janë zyrtarizuar si pjesë e elitës për sezonin e ardhshëm pas ndeshjes së djeshme.

Një sezon i mundimshëm, ndërsa protagonistët e rikthimit në elitë kanë filluar që të prononcohen, madje pas ndeshjes në Shijak ka pasur disa postime në profilet e tyre në rrjetet sociale. “Vllaznia u ngjit në Supeiorte dhe merita është e të gjithëve. Tashmë Z.Lici duhet të mendojmë për sezonin e ardhshëm”,-postonte drejtori teknik turk, Engin Firat.

Ndërkohë, Agim Canaj, trajneri kuqeblu vazhdon që të tregohet profesionist: “Merita është e Likës, punoi me shumë sakrificë dhe la një ekip thuajse të ngjitur, ai ka meritën më të madhe, – tha trajneri i kuqbeluve.

Kurse trajneri i portierëve Ideal Lekiqi shkruan: “Jemi ne Superligë. Fundja aty ku të takon VLLAZNI. Ndoshta ishte detyrim po gjithsesi i mundimshëm e plot sakrifica. Me stabilitet në lojë e rezultate. Faleminderit çuna për mundin dhe djersën. Faleminderit të gjithë drejtuesve të klubit për mbështetjen. Faleminderit të gjithë tifozëve që vuajtën jo pak këtë sezon bashkë me ne, jeni unikë! Forca VLLAZNIA!”

Ndërkohë ka reaguar edhe portieri i kuqebluve, Alen Sherri, ai i cili edhe pse kishte oferta nga Superiorja nuk e braktisi skuadrën, me synimin për të kontribuar që ajo të rikthehej brenda vitit në elitë. “Matematikisht tani jemi në Kategorinë Superiore. Lumturi po, por jo ndonjë arsye e madhe për të festuar. Vllaznia e ka vendin vetëm në atë kategori dhe jo këtu ku ishim sivjet. Faleminderit tifozëve dhe mbështetësve nga larg! Uroj që viti tjetër futbollistik të na gjejë më të fortë se kurrë!” – ishte postimi i Sherrit…

E.S./Vipsport.al/