Riberi mbyll aventurën me Bajernin, i bashkohet Ksavit në Katar

Pas 12 viteve të Bajern Mynih, duket se aventura e Frenk Riberi me Bajernin ka mbërritur në fundin e saj. Francezi me fanellën e gjigandëve bavarezë mes titujve të shumtë të Bundesligës ka triumfuar edhe njëherë në kompeticionin më madhor për klube, Liga e Kampionëve.

Vitet e fundit, 36-vjeçari është penalizuar nga dëmtimet e shpeshta që nuk e kanë lejuar të shprehet në fushën e lojës. Këtë sezon, sulmuesi ka shënuar vetëm 5 gola. Ndërkaq, Riberi nuk do të largohet përfundimisht nga futbolli aktiv, pasi për sulmuesin francez ofertat nuk mungojnë dhe sipas raportimeve të mediave gjermane, francezi ka arritur një marrëveshje për t’u transferuar në Katar.

Më saktësisht bëhet fjalë për skuadrën e Al-Sad Sport Club, në të cilën aktivizohet edhe ish-futbollisti i Barcelonës, Ksavi. Nga ky transferim, gjithnjë nëse konfirmohet atëherë Riberi do të përfitojë një kontratë me shumë zero nga mbrapa, pasi francezi do të ishte një vlerë e shtuar, pas Ksavit, në skuadrën nga Katari. /Egi Çabeli-VipSport.al/