Revolucioni Juventus, Salah dhe talenti Benfikës për të harruar zhgënjimin

Sezonin e ardhshëm duket se skuadra e Juventusit do të ketë shumë fytyra të reja. Bardhezinjtë u eliminuan në mënyrë surprizë nga Liga e Kampionëve, teksa edhe pse përgatiten të fitojnë titullin e tetë radhazi, sërish mungesa e trofeut të Champions League shihet si një dështim.

Në këtë formë, drejtuesit e ‘Zonjë së Vjetër’, po mendojnë të ndryshojnë një pjesë të madhe të organikës aktuale. Nën shënjestër janë Mohamed Salah i Liverpulit dhe Zhoao Feliks, talenti premtues i Benfikës. Për yllin e Liverpulit përflitet se ka mosmarrëveshje me trajnerin Klop dhe kjo mund t’ia lehtësojë planet Juventusit për ta rikthyer në Torino. Ndërsa për Feliks, bardhezinjtë duhet të mposhtin konkurrencën e shumë klubeve që janë pas 19-vjeçarit, megjithatë në ndihmë të italianëve mund të vijë menaxheri që bëri të mundur transferimin e Ronaldos, Mendes.

Ndërkaq, nuk mund të harrohen edhe përforcimet në prapavijë teksa objektivi kryesor De Ligt, tashmë duket shumë pranë kalimit te Barcelona. Në këtë formë bardhezinjtë, po mendojnë të bëjnë një ofertë për mbrojtësin Umtiti, i cili në Katalonjë nuk po gjen hapësirat e duhura. Ndërkohë, edhe merkato në dalje do të jetë mjaft aktive pasi Duglas Kosta, Huan Kuadrado apo dhe Aleks Sandro duket se po zhvillojnë sezonin e fundit në Torino. Sa i përket lëvizjeve edhe Paulo Dibala nuk është më i paprekshëm teksa në rast të një oferte të kënaqshme drejtuesit e Juventusit janë të gatshëm të negociojnë, duke parë edhe formën e këtij sezoni nga argjentinasi.

/Egi Çabeli-VipSport.al/