Reja e fillon me probleme aventurën shqiptare, për të kursyer e lënë pa ndihmës

Aventura e Edi Rejas në pankinën e Shqipërisë duket se nuk po fillon me këmbën e mbarë dhe me disa probleme të cilat shtyjnë deri të mërkurën prezantimin e tij si tekniku i ri i kuqezinjve. Italiani, pasi ka gjetur parimisht akordin me Dukën, ka filluar kërkimin e elementëve për të plotësuar stafin e tij, por ka ndeshur me një pengesë të vogël.

Emri i përzgjedhur fillimisht prej tij si asistent ishte ai i Alesandro Kalorit, por ish-futbollisti i Peruxhias me sa duket nuk do të mbërrijë në vendin tonë, Edhe pse ai është shkarkuar nga detyra si trajner te Ternana, Kalori është ende nën kontratë me klubin, i cili për momentin e mban të lidhur nëpërmjet marrëveshjes dhe nuk dëshiron ta lërë të largohet, duke preferuar që ta mbajë si opsion rezervë nëse ndryshon teknikun aktual.

Lirimi i tij mund të bëhej nëpërmjet pagesës së një shifre të caktuar por në FSHF nuk kanë ndër mend që të bëjnë pagesa të tilla, e kësisoj, Reja ka mbetur pa ndihmësin e tij të preferuar dhe duhet të gjejë një tjetër për të ushtruar këtë detyrë në radhët e kuqezinjve. Pritet që kjo situatë të zgjidhet nesër dhe Reja të gjejë ndihmësin e tij italian për ta sjellë në Shqipëri që të mërkurën, ndërsa pjesë të stafit do të ketë edhe ndihmësin shqiptar, Ervin Bulku, i cili tashmë cilësohet si pjesë e pandashme e ekipit kombëtar. /vipsport.al/