Refuzoi kuqezinjtë për Kosovën, Hamdiu: Kur kërkova Shqipërinë, më thanë jo

Kohët e fundit është kthyer në çështje largimi i talenteve nga Shqipëria për një skuadër tjetër Përfaqësuese dhe mesa duket, nuk ka vetëm që largohet por ka edhe nga ata të cilët e refuzojnë. I tillë është rasti i talentit të Vinterthurit, Valon Hamdiu i cili po spikat në kampionatin zviceran me skuadrën, te e cila aktivizohet edhe Taulant Seferi.

Pak ditë më parë, në Zvicër ka shkuar vetë trajneri i Shpresave, Alban bushi për të takuar nga afër talentin dhe për ta bindur që të afrohet te Shqipëria, por mesa duket ai e ka bërë zgjedhjen e tij. Duke qenë se edhe në të kaluarën ka qenë pjesë e të rinjve të Kosovës, Hamdiu nuk e ka ndërmend të tradhtojë këtë skuadër dhe i është përgjigjur negativisht ftesës së Bushit.

‘VipSport.al’ ka kontaktuar me Hamdiun i cili pranon se ka zgjedhur përfundimisht Kosovën, duke shtuar se për të nuk ka asnjë ndryshim mes Shqipërisë dhe Kosovës, pasi të dyja përfaqësojnë Kombin shqiptar.

“Zgjedhja? Është e vërtetë që kam zgjedhur Kosovën dhe jo Shqipërinë. Kosova ka qenë e para që më ka ftuar dhe më ka pëlqyer kur kam qenë për herë të fundit në grumbullim. Nuk kam çfarë të bëj, nuk mundem që të luaj për dy Kombëtare kështu që duhet të zgjedh vetëm njërën. Për mua janë njëlloj, si Shqipëria si Kosova dhe e kam të pamundur që t’i ndaj”, tha fillimisht Hamdiu.

I pyetur nëse i trembet etiketimit ‘tradhtar’ siç ndodh rëndom, Hamdiu është i bindur se nuk do të quhet i tillë pasi Shqipëria dhe Kosova për të janë një. Sakaq, ai ka treguar se ka qenë edhe vetë i interesuar për të luajtur me fanellën e Shqipërisë, por gjithmonë është neglizhuar duke i thënë se ‘është nën vëzhgim’, vëzhgim i cili nuk përfundoi asnjëherë.

“Epiteti ‘tradhtar’? Nuk je tradhtar nëse shkon të luash për Kosovën. Të gjithë e dimë që ka shqiptarë që luajnë për Kosovën, por ka edhe nga Kosova që luajnë për Shqipërinë. Kam folur edhe me Taulant Seferin dhe më ka këshilluar të luaj për Shqipërinë, por në fund më ka thënë se zgjedhja më takon mua.

Shqipëria? Erdhi Bushi në Zvicër po unë personalisht nuk e kam takuar. Ai është takuar vetëm me babanë tim dhe ka folur. Kur kam dashur unë që të luaj për Shqipërinë, ata më kanë thënë jo dhe tani është koha që të them unë jo.

Gjithmonë më thoshin ‘të kemi nën vëzhgim’, por kurrë nuk më kanë lajmëruar për diçka apo të më kthenin një përgjigje. Ndërkohë që koha kalonte, unë nuk mund të prisja gjithmonë duke qenë nën vëzhgim. Shkurt e shqip, mua më kanë refuzuar një herë. Gjatë gjithë kohës, Kosova ka treguar shumë më shumë interes për mua dhe këtë respekt të treguar karshi meje, e kam vlerësuar”, tregon qendërmbrojtësi 20-vjeçar. /Erjon Allaraj-VipSport.al/