Protagonistët/ Ja formacioni më i mirë i javës së 29 në Kategorinë Superiore

Java e 29 e Kategorisë Superiore ka rihapur plotësisht luftën për Europën. Ndalesa e Kukësit dhe Teutës, skuadra të cilat nisën vitin duke luftuar për titull, i ka dhënë mundësinë tashmë edhe Flamurtarit e Skënderbeut të kthehen plotësisht në garë dhe ka bërë më të bukura javët e mbetura sa i përket betejave për këtë objektiv.

Në vijim, Vip Sport ju sjell protagonistët kryesorë të 4 ndeshjeve të kësaj jave, të cilët kanë bërë diferencën apo kanë ndihmuar skuadrat e tyre të marrin pikët shumë të rëndësishme ndërsa afron fundi i këtij sezoni.

PROTAGONISTËT

Enea Koliçi – Flamurtari / “Ishte i aftë Koliçi që na mbajti në lojë”. Këto fjalë të trajnerit Ilir Daja tregojnë më së miri atë që bëri portieri i vlonjateve në suksesin 2-1 të skuadrës së tij ndaj Kukësit, që i sheh tashmë t’i afrohen vendit të dytë në klasifikim. Nëse ndokush kishte dyshime për formën e tij, ka marrë përgjigjen e duhur.

Albi Doka – Tirana / Trajneri Ardian Mema do të ketë një telash “luksi” për të zgjidhur në javët e ardhshme, pasi mbrojtësi është paraqitur edhe një herë në nivelet me të cilat na kishte mësuar në sezonet e kaluara. Mungesa e Kërçikut i dha mundësinë të tregonte edhe një herë vlerat e tij dhe ai nuk zhgënjeu, duke ndihmuar skuadrën të shtynte para e sidomos duke mbrojtur shumë i përqendruar ndaj sulmeve të Teutës.

Dimitrios Kotsionis – Luftëtari / “Fut në xhep” sulmin e Laçit në një ndeshje shumë delikate ku skuadrës së tij i duhej medoemos rezultati për të mso parë veten të rrezikojë zonën e ftohtë të klasifikimit. Është kthyer shumë shpejt në një nga investimet më cilësore të gjirokastriteve në pjesën e dytë të sezonit.

Blerim Kotobelli – Flamurtari / Në një ndeshje ku nuk duhej t’i linte hapësira krahut të djathtë të rrezikshëm të Kukësit, bëri shumë mirë, duke i kufizuar në maksimum si shpërthimet e Et’hemit, ashtu edhe ato të Kordeiros. Verilindorët e kuptojnë dhe përqendruan lojën e tyre thuajse gjithmonë në krahun tjetër të fushës.

Erando Karabeci – Tirana / Mesfushori me eksperiencë më në fund merr për dore skuadrën dhe e udhëheq drejt një fitoreje shumë të rëndësishme. Jo vetëm me golin e shkëlqyer, por edhe duke udhëzuar shokët e ekipit, ashtu siç pritet nga një kapiten në një moment vendimtar për fatin e skuadrës.

Albano Aleksi – Luftëtari / Pasimi milimetrik për Dungën në aksionin e golit është vetëm një nga lëvizjet e shkëlqyera që bëri mesfushori i gjirokastritëve në këtë ndeshje. I kujdesshëm në mbulimin e kundërshtarëve dhe gjithmonë lojtari kyç nga niste loja ofensive e ekipit, ai është qartësisht pika e referimit e ekipit që duke se ka një marsh tjetër me të në fushë.

Gjergji Muzaka – Skënderbeu / Ndaj Kastriotit është shfaqur në fushë përsëri Gjergji Muzaka i vjetër, ai mesfushori i krahut i cili për shumë vite cilësohej nga më të mirët në kampionatin tonë dhe u bë protagonist edhe me fanellën e përfaqësueses shqiptare. Shpërthimet e tij ishin vendimtare për ekipin, ashtu si goli i parë që i dha qetësinë skuadrës në momentin kur dukej se Kastrioti mund ta rrezikonte disi.

Emiljano Musta – Flamurtari / Luan kudo, siç e pranon edhe vete, por në mesfushën e Flamurtarit bën shpesh diferencën me vertikalizimet e tij. Shënon një gol me shumë peshë për fatin e ndeshjes ndaj Kukësit në një vit me shumë peripeci, por që mund të kthehet në historik për qytetin bregdetar e padyshim për futbollistët e tij.

Blerim Krasniqi – Skënderbeu / Në momentin e krizës së korçarëve, shumëkush i vuri fajin dhe sulmuesit që nuk kishte shprehur vlerat e tij. Por Krasniqi është zgjuar në momentin vendimtar të sezonit dhe e ka treguar me dy gola ndaj Kastriotit. Vlerësimi nuk është vetëm për golat, por edhe për paraqitjen në tërësi në këtë ndeshje, duke luftuar gjatë gjithë ndeshjes me mbrojtjen kundërshtare.

Ismail Dunga – Luftëtari / Ka shënuar 6 gola në vetëm 15 ditë mes kampionatit dhe Kupës. Por ky i fundit, ndaj Laçit, ishte me më shumë peshë, pasi thuajse siguroi gjirokastritët që do të jenë në elitën e kampionatit në vijim. Në Gjirokastër kanë gjetur shpejt zëvendësuesin e Shkurtajt.

Xhevahir Sukaj – Flamurtari / 6 ndeshje, asnjëra me 90 minuta të plota, 4 gola të shënuar. Ky është bilanci i Xhevahir Sukajt në këto javë ku ka treguar se është ende shumë herët për ta cilësuar të përfunduar me futbollin e luajtur dhe se ka shumë për të dhënë në Superiore. Eksperienca e bën të gjendet gjithmonë në vendin e duhur dhe të bëjë lëvizjen e duhur, si në rastin e golit që i hapi rrugën fitores së Flamurtarit me Kukësin. /vipsport.al/