Prezantohet Edi Reja: Lenjani lojtar i mirë, i kam zgjedhur bashkëpunëtorët e mi

Trajneri i ri i Shqipërisë, Edi Reja, është prezantuar sot në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ai ka pranuar ofertën për të drejtuar kuqezinjtë dhe ka uruar që gjithçka të shkojë mirë në këtë aventurë. Pasi firmosi kontratën, ai u është përgjigjur pyetjeve në konferencë shtypi:

“Uroj të shkojë gjithçka mirë, edhe pse me shtypin është pak e vështirë, por unë jam i disponueshëm të kem marrëdhënie të mira. Dua të falënderoj presidentin Duka, i cili besoi tek unë. Kemi folur bashkë edhe pas ndeshjes me Turqinë, ku unë isha për të parë lojtarë të ndryshëm. Nuk ishte një ndeshje e mirë, skuadra pati vështirësi. Folëm sërish me presidentin Duka dhe arritëm akordin.

Kontrata ime është deri në nëntor. Të mbarojmë këtë fazë të parë dhe më pas të shohim se si do të vazhdojmë. Unë firmos zakonisht kontrata njëvjeçare, sepse janë rezultatin që vendosin. Kisha mundësi të punoja në Itali, por kisha dëshirë të drejtoja një kombëtare dhe ja ku erdhi rasti të drejtoj Shqipërinë. Dua të përshëndes Panuçin për punën që ka bërë, më vjen keq që u largua.

Duka më telefonoi pas shkarkimit të Panuçit dhe jam krenar për këtë ofertë. Po, kam folur me Igli Taren, me të cilin kam punuar te Lacio. Mbaj mend edhe Strakoshën, që ishte i vogël kur erdhi në skuadër.

Mua më pëlqejnë skuadrat agresive dhe Shqipëria në këtë moment nuk është e tillë. Duhet të punoj në këtë drejtim, e kam të qartë. Duhet që lojtarët të japin gjithçka për fanellën e ekipit kombëtar dhe duhet të kemi frymën e grupit. Dua që të gjej stimujt e duhur për çdo lojtar. Ana ekonomike është në plan të dytë, nuk ka të bëjë fare. Unë dua një skuadër që të sakrifikojë për vendin e saj. Kjo është filozofia ime. Nuk është një bast për mua. Nëse rezultatet ecin dhe ndihem mirë, atëherë raporti vazhdon.

Mënyra e lojës? Duhet të punoj më parë, sepse duhet të njoh karakteristikat e lojtarëve që kam në dispozicion. Kam luajtur me tre lojtarë në mbrojtje, por kjo skemë kërkon lojtarë krahu të mirë. Por edhe nëse luan me katër mbrojtës, nuk do të thotë se luan në mbrojtje. Do ta marr në konsideratë skemën me tre mbrojtës, por gjithçka varet nga kundërshtari që ke përballë. E rëndësishme është që skuadra të ndjekë mënyrën e lojës që ne duam të bëjmë, që ta interpretojë atë si duhet.

Me De Biazin kam një raport më të mirë se me Panuçin, sepse jemi kolegë prej shumë kohësh. Panuçi është një trajner i ri. De Biazi është një person i jashtëzakonshëm dhe që ka bërë një gjë të jashtëzakonshme me Shqipërinë. Meriton komplimente, sepse ka arritur rezultate shumë të mira dhe ka krijuar një klimë të mirë në skuadër, bashkë me Tramexanin, që ka qenë një lojtari im. Shqipëria është një vend i bukur, ka det të bukur. Dua të qëndroj këtu dhe të njoh më mirë bashkëpunëtorët e mi.

Në futboll nuk ka parashikime. Mendoj se Shqipëria ka potencial dhe e rëndësishme është që çdo lojtari t’i marrim maksimumin. Rasti Strakosha? Duhet disiplinë, kjo nuk diskutohet. Të gjithë lojtarët janë njësoj, por nuk është gjithmonë kështu. Ka lojtarë më të rëndësishën, por duhet të jenë të disiplinuar dhe kur ata i shkelin rregullat, duhet të pranohen nga i gjithë grupi, jo vetëm nga unë.

Ne kemi një kulturë të vjetër trajnimi në Itali, që ka pasur sukses kudo në botë. Ka shumë trajnerë italianë që kanë bërë figurë të mirë në kampionate të huaja dhe me kombëtare të tjera. Lenjani? Ai është një lojtar më shumë sulmues dhe që duhet të vlerësoj. Di që ka bërë shumë mirë kohët e fundit, ka shënuar edhe disa gola, njërin prej tyre mjaft të bukur me të majtën. Sigurisht që do ta grumbulloj, nëse e shoh të arsyeshme se ai i duhet skuadrës.

I kam zgjedhur bashkëpunëtorët e mi, por emrat do t’i bëj publik, kur gjithçka të marrë formë zyrtare”, – ka përfunduar trajneri i ri i kuqezinjve, Edi Reja. / Vipsport.al