Presidenti i klubit ‘masakron’ Qakën: Nuk e ka mendjen te stërvitja, do t’i them trajnerit ta lërë në stol

Kristian Panuçi ka sjellë në Kombëtare një numër të madh futbollistësh nga Europa dhe një ndër to është edhe Kamer Qaka i cili aktivizohet në kampionatin rumun me skuadrën e Politeknika Iashit. Sezonin e kaluar, Qaka ishte nga më të dalluarit dhe po shënonte duke bërë që në verë ta blinte Steaua e Bukureshtit.

Në kryeqytet ai dështoi dhe në këtë mënyrë u rikthye sërish te Iashi, aty ku po dështon gjithashtu. Presidenti Adrian Ambrosie ka folur në lidhje me situatën e Qakës duke u shprehur se ai ka ndryshuar shumë sjellje pasi transferimi te Steaua i ka dëmtuar jo pak.

“Kur merren kartonë të verdhë ose të kuq pa i sjellë përfitime ekipit dhe pa ndihmuar shokët, shoqërohen me gjoba. E kuptoj se të marrësh karton të verdhë në një rast kur mund të jesh duke pësuar gol, ose kur duhet të ndërpresësh aksione të rrezikshme është në të mirë të ekipi, por Qaka i merr kot, pa pasur arsye.

Fakti që u transferua dhe ka ardhur si lojtar i Steauas, e ka bërë të mendojë se ka pasur rënie dhe rikthimi sërish te Iashi e ka prekur jo pak. Çështja e dytë është fakti se nuk jep më të mirën në stërvitje dhe kjo reflektohet edhe në ndeshjet zyrtare. Nuk e ka më mendjen te futbolli, por do vetëm të largohet. Ai nuk e di sa oferta do të kishte dhe bëhet fjalë për transferime të mira. Kam folur edhe me trajnerin dhe nëse realisht ai bëhet serioz dhe mendon për këtu, mund të qëndrojë, në të kundërt do ta ulë në stol dhe nuk do të luajë më. Kështu, asnjë skuadër nuk do të interesohet më për të dhe ai personalisht do ta vuajë”, tha presidenti. /Erjon Allaraj-VipSport.al/