Plas te Napoli pas eliminimit, babai i Insinjes kundër Ançelotit

Eliminimi nga Liga e Europës duket se do të sjellë pasoja të rënda te klubi i Napolit. Edhe pse Karlo Ançeloti ka shkuar te ky klub me synime për të qëndruar për një kohë të gjatë aty, duket se ai nuk gëzon mbështetjen e plotë të skuadrës dhe kjo kuptohet qartësisht nga reagimet e familjes Insinje.

Lorenco Insinje ka mbetur shumë i pakënaqur nga zëvendësimi i tij në minutën e 63-të të ndeshjes, ndërsa kërkonte që të jepte deri në fund kontributin në fushë. Jo rastësisht, ai qëndroi në këmbë pranë pankinës për shumë minuta pas zëvendësimit duke ndjekur ndeshjen, i tensionuar ndërsa shihte se si skuadra e tij nuk arrinte të bënte diferencën kundër Arsenalit dhe të gjente golin.

Por babai i tij, Karmine Insinje, në daljen nga stadiumi pas ka lëshuar disa komente që me siguri do të rritin edhe më shumë tensionin në radhët e skuadrës, në momentin kur diskutohet vazhdimësia e mëtejshme e shumë prek yjeve, me Insinjen të parin. “Ancelotti è un pacco!” është fraza e tij në italisht, e cila e përshtatur në gjuhën shqipe do të thotë “Ançeloti është një dështim”.

Vetë trajneri pas ndeshjes ka deklaruar se nuk kishte pasur përplasje me futbollistin. “Nuk ishte i mërzitur me mua, i vinte keq për ndeshjen dhe që e kishin vërshëllyer”, tha ai. Por në rrjetet sociale ka filluar menjëherë të vihet ën dyshim aftësia e Ançelotit për të menaxhuar një skuadër ashtu siç do të dëshironin napolitanët, të cilët panë ekipin të dilte jashtë në turneun e fundit ku i kishte mbetur një shpresë për të siguruar trofe në këtë edicion. /vipsport.al/