Pak minuta për Abazajn, tani Osijek rrezikon vendin e tretë

Kristal Abazaj duket se nuk është ende në formën e tij më të mirë dhe si rrjedhojë ka humbur vendin si titullar në radhët e Osijek, ku kishte shkuar për të luajtur më rregullisht se te Anderleht. Sulmuesi shqiptar, i transferuar në janar te kroatët, bindi në ndeshjet e para, por pak nga pak është kthyer në lojtar stoli për këtë klub, i cili lufton për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Europës.

Abazaj edhe sot ishte zëvendësues, në sfidën ndaj Istra të vendit të parafundit, ndërsa hyri në fushën e lojës vetëm në minutën e 69 të ndeshjes. Por aktivizimi i tij nuk ndihmoi dot ekipin, pasi Osijek u mund me shifrat 1-0 dhe tani rrezikon seriozisht vendin e tretë. Këtë pozicion ia kërcënon Hajduk Split i Ismajlit, Tahirajt e Sahitit, që gjendet vetëm 3 pikë larg Osijekut.

Ndërkohë, shumë më larg ka përfunduar në kampionat ekipi i Lokomotiv Zagreb, pavarësisht një fillimi premtues të sezonit. Skuadra ku aktivizohet Myrto Uzuni, aktualisht mban vendin e 6 në renditje me 44 pikë, 3 pas Hajdukut që mban vendin e katërt, i cili garanton pjesëmarrjen në Europë. /vipsport.al/