Olsi Rama tregon batutat me Gjicin: Më tha se nuk ka mbaruar kampionati, e këshillova

Drejtori i Partizanit, Olsi Rama ka folur për mediat pas Asamblesë së Përgjithshme të FSHF0-së, ku temë diskutimi natyrisht që ka qenë kampionati dhe titulli kampion, ku të kuqtë janë më pranë se kurrë këtë sezon pasi kryesojnë me 12 pikë më shumë se Kukësi. Ai ka treguar edhe bisedën që kishte me Gjicin, i cili i ka shprehur se kampionati nuk ka përfunduar ende.

“Titulli? Nuk është çështje tersi. Nuk urohet ditëlindja përpara se t’i vijë dita. Janë akoma shtatë javë të tjera dhe janë 21 pikë dhe është akoma goxha punë. Më pëlqeu diçka që tha trajneri. Klubi kërkon rezultatin, unë kërkoj gjithmonë tri pikëshin. Për Partizanin e rëndësishme është të japë maksimumin në çdo ndeshje dhe të arrijë objektivin sa më shpejt të jetë e mundur.

Përgatitje për festën e titullit? Jo, akoma asnjë lloj përgatitje.

E veçanta e Partizanit? Besoj që ajo që vazhdon të jetë te Partizani është disiplina, respekti i ndërsjelltë midis lojtarëve dhe stafit teknik, rregulli, dëshira e djemve që bënë një grup të mrekullueshëm dhe qetësia që kanë pasur në vetëdije që janë një grup i fortë.

Eufori? Detyra ime është që të jem i kujdesshëm në çdo moment dhe të mbaj sa më larg euforinë. Euforia është një faktor që ndonjëherë edhe ndihmon, por më së shumti të dëmton.

Gjici? Gjici më tha që ende nuk ka përfunduar kampionati. Unë i thashë që ki kujdes vendin e dytë, në kuadër të shakasë.

Asambleja dhe Liga Profesioniste? Është asambleja ime e parë, kështu që nuk kam çfarë të them ndonjë gjë të veçantë. Pres që liga profesioniste të bëhet faktor, pasi jam partizan i ligës. Pretendoj që të marrë shumë herë më sipër dhe të bëjë diferencën në raport me superioren që të krijojë produktin më të qëndrueshëm.

Rënie? Le të vijë një herë siguria matematike, më pas do mendoj për gjërat e tjera. Kemi ekip me 25 lojtarë. Kur të vijë siguria matematike atëherë do të japim hapësira dhe për lojtarët e tjerë.

Europa? Nuk kemi vendosur objektiva. Sigurisht që rritja cilësore e ekipit të bën që ta ngresh stekën. Për ne e rëndësishme është të ruajmë këtë lloj integriteti dhe të përforcohemi me ndonjë element cilësor”, tha Rama. /VipSport.al/