Notat për ndeshjen ndaj Milanit, vlerësimi më i lartë te Lacio shkon për Strakoshën

Në mbrëmjen e djeshme të Serisë A u luajt një sfidë e cila mund të konsiderohej si një finale për objektivin e të dyja skuadrave për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve. Bëhet fjalë për ndeshjen Milan- Lacio, në të cilën në përfundim të 90 minutave fitimtarë dolën kuqezinjtë.

Në këtë takim si gjithnjë mes shtyllave për skuadrën kryeqytetase ishte portieri i Kombëtares së Shqipërisë, Tomas Strakosha, i cili ishte autor i një paraqitje në nivelin e kërkuar. Gjithsesi, Strakosha u mposht vetëm nga pika e bardhë e penalltisë, ndërkohë që gjatë ndeshjes u tregua vendimtar për të mbrojtur rrjetën e paprekur. Në fakt, kjo u reflektua edhe tek notat e futbollistëve pas ndeshjes, teksa mediat italiane e vlerësuan 24-vjeçarin si lojtarin më të mirë te Lacio.

‘Corriere Dello Sport’ e vlerësoi Strakoshën me notën 7, më e larta te Lacio, ndërkohë që ‘Gazzeta Dello Sport’, paraqitjen e gardianit shqiptar e vlerësoi me notën 6.5, sërish një nga  notat më të larta të ekipit. Megjithatë, tashmë Strakosha është i konfirmuar në kampionatin italian dhe të tilla paraqitje nuk janë një surprizë. /Egi Çabeli-VipSport.al/