Një stadium surprizë për tifozët, Nexhipi zbulon ku luajnë verilindorët sezonin tjetër

Kukësi do të ketë një stadium fiks sezonin e ardhshëm dhe këtë e ka zbuluar vetë drejtori sportiv Nderim Nexhipi. Në një prononcim për ‘Supersport’, ai u shpreh se Kukësi e ka gjetur zgjidhjen dhe do të veprojë si Partizani. Verilindorët do t’i luajnë ndeshjet e tyre në stadiumin e Kamzës, në të cilin do të ketë punime gjatë verë në mënyrë që për sezonin tjetër të jetë në gjendje optimale.

“Kukësi këtë sezon? Së pari ne vuajtëm shumë nga dëmtimet, pasi kemi pasur futbollistë shumë të mirë, por shumë herë i kemi pasur në infermieri dhe na kanë penalizuar në momente të caktuara. Tjetër gjë që nuk e kishim në favor, ishte stadiumi, por ky ishte një vendim i marrë në fillim të vitit dhe ndikoi jo pak.

Merkatoja e verës? Normalisht që kemi filluar të mendojmë edhe për vitin tjetër. Kemi një trajner që sapo ka ardhur dhe fillimisht do të mendojmë që të mbyllim sa më mirë këtë sezon. Synimi për vitin tjetër, është që të mbajmë boshtin aktual të skuadrës, pasi kemi elementë nga më të mirët në Superiore. Më pas do të flasim me Gjokën, për të parë se ku mund të ndërhyjmë, por jo me më shumë se 3-4 lojtarë.

Stadiumi? Për mendimin tim, duhet të bëjmë një zgjidhje pak a shumë si Partizani, që ka gjetur vend në stadiumin “Selman Stërmasi”. Besoj se duhet të marrim stadiumin e Kamzës, për të përmirësuar kushtet dhe për të pritur aty të gjithë kundërshtarët. Është një stadium që besoj se na sjell edhe shumë mbështetës, ndaj duhet të përqendrohemi aty”, tha Nexhipi. /VipSport.al/