Një merkato me shifra rekord, Kapelo zbulon planet e Realit për verën

Fabio Kapelo parashikon një verë të nxehtë në Madrid, pasi ai ka zbuluar se te Reali po bëhen gati për ndryshime të mëdha dhe sigurisht, për shpenzime shumë të mëdha. Në një emision televiziv, ai ka treguar se plani i klubit është të investojë një shifër rekord për afrimin e futbollistëve të rinj, pasi cikli aktual duket se është mbyllur.

“Burime shumë të mirëinformuara me kanë thënë se Real Madrid do të shpenzojë 500 milionë euro në verën e ardhshme”, ishte deklarata e Kapelos në studion e “Sky Sport”, duke treguar kësisoj se klubi ku ai ka qenë trajner gjatë karrierës së tij, kërkon t’i vërë në dispozicion Zidan një grup të ri të talentuar për t’iu kthyer sukseseve.

Sipas “Marca”, me një shifër të tillë do të afrohet fillimisht për rreth 100 milionë euro Eden Hazard nga Çelsi, marrëveshje që pritet të finalizohet brenda javës së ardhshme. Më pas e kanë radhën emra si Pol Pogba e Kristian Eriksen, për të cilët Zidan ka dhënë pëlqimin e tij, ashtu si edhe për Luka joviç, një i ri i talentuar që do të përforcojë sulmin e madrilenëve. /vipsport.al/