Në Shkodër e menduan të larguar, Canaj del në stërvitje: Ja e vërteta e mungesës dhe pakënaqësive

Më në fund, Agim Canaj është rikthyer te Vllaznia, madje duke drejtuar edhe seancën e sotme stërvitore. Trajneri me eksperiencë në Superiore ka treguar edhe arsyet e mungesës në stërvitjet e ditëve të fundit, ndërsa ai do të vazhdojë i qetë punën për të përmbushur edhe misionin për të cilin është rikthyer në Shkodër.

Në një prononcim që ka dhënë për  mediat, trajneri Canaj ka pohuar: “Ai që ishte problemi im kryesor ishte diplomimi i vajzës në Angli, që e kisha parashikuar 5 ditë për tu larguar dhe për fat ishim pushim. Kam marr leje para se të luhej ndeshja me Besëlidhjen, por më dolën probleme me vizën”.

Problemet

Canaj, ndër të tjera ka kërkuar që të qetësojë ambientin shkodran duke theksuar se çdo ekip dhe skuadër ka problemet e veta. “Nuk mund ta quaj skandal atë që ka ndodhur por një pakënaqësi e akumuluar. Nuk e kam menduar asnjëherë dorëheqjen. Në Shkodër vij me dëshirë dhe është hera e tretë. Çdo problematikë e lojtarëve është individuale. Nuk jam i ri në këtë zanat dhe kam kaluar shumë futbollistë. Normalisht që në çdo familje sportive ka probleme të vogla. Kam qenë në kontakt me drejtuesit dhe në 10 ditë asnjë trajner nuk mund të zgjidhë problemet e skuadrës. E kam gjykuar me qetësi dhe gjithë problematikën e vitit nuk mund ta zgjidhë me një javë. Janë probleme që do i zgjidhim në qetësi në vazhdimësi. Për çdo gjë që kanë nevojë lojtarët do i zgjidhim brenda grupit”.

Aktivizimet

Trajneri Canaj, ndër të tjera ka theksuar se në saj edhe të luksit të pikëve dhe nisur nga fakti që skuadra është me një këmbë në Superiore, në javët në vazhdim do të ketë më shumë kohë edhe për ata lojtarë që nuk janë aktivizuar në takimet e shkuara. “Në ndeshjet në vazhdimësi do i jap kohë të plotë lojtarëve. Për të arritur objektivin madhor duhet që të gjithë të kenë një kohë të mjaftueshme.” – u shpreh Canaj para mediave në prag të sfidës .

E.S./Vipsport.al/