Ndeshja e parë si titullar, Zhegrova përfshihet në formacionin e javës në Zvicër

Edon Zhegrova në merkaton e janarit u transferua me formulën e huazimit në kampionatin zviceran tek skuadra e Bazelit, ekip në të cilin aktivizohet edhe mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë, Taulant Xhaka.  Futbollisti i përfaqësueses kosovare më parë aktivizohej me Genk në Belgjikë, teksa kalimi te Bazel u pa si një alternativë e mirë që të aktivizohej në vazhdimësi.

Megjithatë, sulmuesi nuk ka patur minutat e mjaftueshme, ndërsa është përfshirë në ndeshje vetëm nga stoli. Por takimin e fundit të kampionatit zviceran, Zhegrova e nisi si titullar dhe cilësitë e 20-vjeçarit dolën në pah, pasi u përzgjodh dhe si lojtari i ndeshjes. Ndërkohë, duke marrë parasysh paraqitjen në fundjavë, Zhegrova është përfshirë edhe në formacionin më të mirë të javës, në Super Ligën zvicerane.

Sigurisht, ky nuk është maksimumin për Edon Zhegrovën, i cili disponon aftësi të mëdha, teksa nëse arrin të shfaqë potencialin e plotë atëherë mund të bëhet pjesë e klubeve akoma më prestigjioze se Bazeli. /Egi Çabeli-VipSport.al/