Murinjo gjen arsyen: Juventusi gaboi shumë, nuk tregoi aspak respekt për Ajaksin

Pak ditë më parë, Ajaksi arriti të befasonte në shtëpi Juventusin duke e mundur me rezultatin 1-2. Ky rezultat, e lejoi skuadrën holandeze të kalonte në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve. Eliminimi i bardhezinjve në këtë fazë të Championsit, ka qenë jo pak surprizë për të tjerët, ndërkohë që e ka komentuar edhe Zhoze Murinjo.

Trajneri portugez është shprehur për ‘Russia Today’ se Juventusi ka treguar mungesë respekti ndaj Ajaksit dhe për këtë ka ardhur edhe eliminimi nga Championsi.

“Bardhezinjtë e lejuan Ajaksit të luanin në mënyrën e vet, duke shfrytëzuar forcën e tyre. Para kësaj ndeshjeje, askush nuk i ka respektuar dhe në fakt të gjithë i kanë lejuar të luajnë në mënyrën që ata preferojnë, duke i lejuar ata të shkojnë përpara dhe të arrijnë në gjysmëfinale. Ajaksi ka lojtarë të rinj dhe fantastikë”, tha Murinjo. /Erjon Allaraj-VipSport.al/