Mori në qafë Arlind Ajetin, tani Mihajloviç kërkon një tjetër mbrojtës shqiptar

Arlind Ajeti dukej se do të ishte gati për një karrierë të shkëlqyer pas përfundimit të Euro 2016. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare shkëlqeu në Europian dhe menjëherë pas tij nënshkroi me skuadrën e Torinos, ku trajner ishte Sinisha Mihajloviç.

Por tekniku serb nuk i besoi aq shumë futbollistit shqiptar, duke e lënë shpesh në tribun e stol dhe duke e aktivizuar vetëm në momente emergjence. Sigurisht që kjo solli edhe rënien e formës së lojtarit kuqezi, i cili që atëherë ka pasur vështirësi me aktivizimin e rregullt edhe te Krotone ku u dha në huazim apo së fundmi te Grasshopers.

Me sa duket, Mihajloviç shumë shpejt mund të vihet në drejtimin e një tjetër mbrojtësi të përfaqësueses shqiptare. Sipas mediave italiane, Bolonja të cilën ai drejton aktualisht, vazhdon të ndjekë me shumë vëmendje Kastriot Dermakun, i cili po shkëlqen me Kozencën dhe po bën paraqitje shumë të mira në Serinë B. Futbollisti është grumbulluar në Ligën e Kombeve nga Panuçi dhe është pjesë e përfaqësueses shqiptare pasi zgjodhi t’i bashkohej asaj, duke braktisur Kosovën me të cilën kishte qenë në stol për 2 takime. /vipsport.al/