Milionat e shpenzuar nga PSG nuk mjaftojnë, Tuhel: Është e qartë që nuk kemi lojtarë

Humbja 5-1 përballë Lilës ka acaruar trajnerin Tomas Tuhel, i cili pavarësisht dominimit të skuadrës së tij që vetëm pret fundin e kampionatit dhe garancinë matematike të triumfit, pretendon se klubi duhet ët bëjë diçka më shumë. pas ndeshjes, trajneri foli hapur për mungesën e futbollistëve, pasi ekipi i tij ishte përballur me një krizë të paprecedent.

“Nuk kemi lojtarë, është e qartë. Por askush nuk flet për këtë pasi ne fitojmë. Por të gjithë duhet ta dinë, që me 14 apo 15 lojtarë nuk është e mundur ta bësh këtë gjë çdo javë”, tha ai. Tuhel ankohej për faktin se dëmtimet e gjata e kanë lënë pa dy prej yjeve të skuadrës, Nojer e Kavani, ndërsa listës i janë shtuar Di Maria, Markinjos dhe Kehrer. Së fundmi, dëmtimet e Tiago Silva dhe Munie kanë bërë më të vështirë punë e trajnerit.

“Tani po luajmë me futbollistë të sëmurë apo që kanë mungesë stërvitje. Duhet të shohim gjithçka, pasi tani po tejkalohet gjithçka. Duhet të tregohemi të sinqertë me njëri-tjetrin dhe të zbulojmë shkaqet e vërteta të kësaj situate”, paralajmëroi ai publikisht drejtorin sportiv, Antero Henrike me të cilin do të ketë një takim shumë shpejt për të vënë piketat për sezonin e ardhshëm. Sigurisht, kjo do të thotë se sheikët duhet të bëjnë gati çekun për disa qindra miliona euro shpenzime të tjera. /vipsport.al/