Mesfushori i Monakos tregon prapaskenat me Henri: Ishte shokuese të punoje me të, ulërinte gjithnjë

Aventura si trajner e Tieri Henri në krye të Monakos nuk zgjati për shumë kohë. Ish-legjenda e Arsenalit, shikohej si njeriu i duhur që do të nxirrte nga kriza e rezultateve ekipin nga principata por skuadra përfundoi në një krizë edhe më të thellë, që sollën shkarkimin e Henri nga stoli. Por, për të treguar prapaskenat e të punuarit me Henri, ka qenë mesfushori Aleksandër Golovin, i cili shprehet se francezi si trajner ishte shumë nervoz dhe bërtiste gjithmonë.

“Gjatë stërvitjeve kur diçka nuk shkonte mirë, nervozohej dhe bërtiste shumë, por nuk kishte nevojë. Dilte në fushë, na tregonte si të stërviteshim dhe ulërinte. Ka qenë një futbollist i fortë, e dinim të gjithë, por të vetmit lojtarë që i afriheshin nivelit të tij te Monako ishin Falkao dhe Fabreges.

Ndoshta mungesa e cilësisë ka ndikuar te nervozizmi. Ndoshta një trajner tjetër, do të na kishte dhënë më shumë kurajo, por Henri nervozohej menjëherë, na tregonte si luante dhe na kërkonte që t’i merrnim topin. Ndonjëherë mërzitej dhe nuk fliste për orë të tëra. Ne futbollistët ishim të qetë, por mesa duket Henri nuk e kishte përmbushur kalimin nga lojtar në trajner”, rrëfen Golovin. /Egi Çabeli-VipSport.al/