Mema:Tifozët janë lojtari i 12, dua ‘Fair Play’ nuk dua të merrem me akuza dhe polemika

Në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Kukësit, trajneri i Tiranës, Ardian Mema është shprehur se do të ndjehet mungesa e tifozëve, ndërsa shprehet i lumtur për rikthimin në skuadër të sulmuesit, Majkëll Ngo. Ndërkohë, trajneri i Tiranës ka theksuar se Tirana pranon rezultatin që prodhon fusha përsa kohë ai është Fair-Play.

Tifozët dhe rikthimi i Ngo

“Keqardhje e madhe, pasi ata i kemi si lojtari i 12-të. Ata mund të jenë edhe lojtari i parë. Na duhen me çdo kusht tani, janë përkrahje e madhe për ne. Në Durrës na dhanë ndihmë të jashtëzakonshme. Ngo është një kthim goxha pozitiv, sepse me të ekipi ka më shumë besim te vetja. Megjithatë, edhe lojtarët që kanë qenë të gatshëm në ndeshjet e fundit më kanë pëlqyer shumë, kanë qenë të rëndësishëm. Ngo ka pak ditë që stërvitet, në mënyrë individuale më herët, ndaj është rikuperuar, por në një fazë kaq delikate dhe pas një pushimi disi të gjatë, Majkëll duhet administruar mirë”.

Përballja me Kukësin

“Ne duhet të përqendrohemi në maksimum në çdo ndeshje. Nuk e them dot që jemi të avantazhuar, do ta shohim nesër, aq më shumë që do jemi pa tifozë, pa ta do jetë si ndeshje e vdekur. Na duhen pikët, duhet t’i marrim”.

Formacioni

“Turtulli ka pasur probleme fizike, edhe Kërçiku po ashtu ka pasur dëmtim në gju dhe presim përgjigjen e rezonancës magnetike. Gentian Muça është afër formës së plotë, në të ardhmen do të ketë më shumë minuta, sepse ka cilësi dhe eksperiencë. Luan kush më bind dhe Muçi më ka bindur prej kohësh, nuk ka rëndësi mosha”.

Sfida Kastrioti-Partizani

“Së pari, duhet të bëjmë llogaritë tona. Kemi lënë pikë shpesh duke i falur ndeshjet, ndaj këtu duhet të bëjmë shumë kujdes, pa bërë asnjë llogari për momentin. Tifo për Partizanin? Kur mundëm Kukësin në fazën e tretë thashë që nuk do doja kurrë ta nxirrja Partizanin kampion, por në kemi luftuar dhe luftojmë për vete, ashtu si çdo ekip bën llogaritë e veta. Partizani është në krye me meritë, edhe Kukësi i meriton pikët që ka dhe ka lënë shpesh pikë për gabime të vogla”.

Futbolli në tavolina

“Dua Fair Play në çdo ndeshje, vetëm kaq, nuk dua të merrem me akuza e polemika. Di vetëm që Tirana luan në fushë dhe pranon çdo rezultat që prodhon fusha”, tha trajneri Mema.