Materaci në Tiranë, ish-mbrojtësi flet për krizën kuqezi dhe firmën e Edi Rejas

Marko Materaci mendon se Edi Reja është emri i duhur për të drejtuar përfaqësuesen shqiptare dhe për të kthyer përsëri atë në nivelin e zakonshëm, pas dy viteve rënie që nga Euro 2016. Ish-mbrojtësi i njohur i Interit dhe përfaqësueses italiane, ka qenë i pranishëm në Tiranë për një aktivitet promocional për Ligën e Kampioneve dhe sigurisht ka shuar kureshtjen para mediave rreth njohurive të tij për Shqipërinë.

“Keni kombëtare cilësore, edhe pse ne dy vitet e fundit ka pasur rënie pas pjesëmarrjes në Europian. Megjithatë, keni lojtarë cilësorë që aktivizohen në kampionate të rëndësishme, madje edhe në Itali. Shqipëria ka marrë një trajner kompetent si Edi Reja, i cili ka punuar shumë mirë te Napoli dhe te Lacio. Është një prej trajnerëve të gardës së vjetër, por që e njeh mirë punën e tij”, ishin fjalët e Materacit.

Sigurisht, nuk mund të mungonte një koment për Ligën e Kampioneve e sidomos eliminimin e Juventusit nga ky aktivitet. “Si interist që jam, nuk më vjen keq për eliminimin e Juventusit nga Champions. Megjithatë, mund të them që ndoshta mund ta fitojnë një ditë. Favoritët? Barcelona mendoj që ka shanse ta fitojë Champions, sepse ka një skuadër të fortë. Megjithatë, nuk do jetë e lehte të kalojë Liverpulin”, ishin fjalët e tij. /vipsport.al/