Mala i përgjigjet Bushit: Veprime të tilla nuk janë në karakterin tim, krenar që jam kuqezi

Para ndeshjes së nesërme ndaj Skënderbeut, sulmuesi i Partizanit, Esat Mala u shpreh se ekipi do të reagojë pas rezultateve negative dhe tha se tashmë e ka hedhur pas krahëve dëmtimin. Ndërsa komentoi edhe mbi situatën me trajnerin e shpresave Alban Bushi, i cili tha se futbollisti nuk u aktivizua qëllimisht në ndeshjen e U21.

 Rezultatet e fundit

“Në ndeshjet e fundit rezultatet nuk kanë qenë ashtu si i kemi pritur, por jemi një ekip që kemi ditur si të reagojmë  edhe presim reagimin nga gjithë ekipi. Ndoshta ka ndikuar lodhja,ndoshta ana psikologjike, por varte si të shkon ndeshja. Ka qenë një moment i keq në ndeshjet e fundit, por do të bashkohemi dhe do të ngrihemi prej nesër në ndeshjen me Skënderbeun”.

Situata me trajnerin e shpresave, Bushi

“Mendoj që mund të ketë pasur keqkuptime, nuk është në karakterin tim për të bërë gjëra të tilla, unë jam krenar që përfaqësoj Kombin tim dhe kam nder që vesh fanellën e Kombëtares”.

Forma dhe mungesa e Telushit

“Kam vuajtur një dëmtim, që më mbajti jashtë fushave për një periudhë 10 ditore. Besoj se e kam lënë pas krahëve dhe do të jem 100% i gatshëm për ndeshjen e radhës.

Kuptohet mungesa e Telushit, i cili përveç se është një lojtar shumë i çmuar, i mirë dhe i nevojshëm për ekipin, është po aq i nevojshëm edhe jashtë fushe me karakterin që ka dhe fjalët e tij motivuese. Diçka që dallohet edhe në ndeshje që kemi nevojë për Telushin dhe i uroj një rikthim sa më të shpejtë. Do mundohemi ta zëvendësojmë sa më mirë të jetë e mundshme.

Shpresoj të shënoj dhe të fitojmë, nëse është për të mirën e ekipit, shpresoj të realizohet. Por, së pari shpresoj të fitoj skuadra, nëse do të jetë me golin tim akoma më mirë”, tha Mala.