Mahnitën Europën, por Ajaks e Totenhem injorohen në ekipin e javës të UEFA-s

Në të gjithë Europën këtë javë është folur për dy ekipe dhe dy mrekulli, ato të Ajaksit dhe të Totenhemit. Dy skuadrat prenotuan vendin e tyre në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve duke shkëlqyer ndaj pretendentëve si Juventus dhe Mançester Siti.

Por sipas UEFA-s, ose më saktësisht sistemit të saj të pikëve me të cilin ndërton formacionin ideal të javës, lojtarë të dy klubeve nuk e meritojnë edhe aq shumë të jenë pjesë e rreshtimit më të mirë të kësaj mesjave. Në rreshtimin e përzgjedhur bie në sy se ka vetëm një futbollist të Totenhem të pranishëm, ndërsa nuk ka asnjë të Ajaksit, edhe pse ky i fundit dhuroi një superndeshje ndaj Juventusit.

Kështu, pjesë e rreshtimit ideal janë Ter Shtegen, Alba dhe Mesi të Barcelonës; Aleksander-Arnold, Van Dajk, Salah dhe Mane të Liverpul; De Bryjn, Sterling dhe Aguero të Sitit si dhe Son i Totenhem. Kjo, pasi lojtarët këtu klasifikohen në baze të golave të shënuar, rrjetave të paprekura apo pasimeve të sakta e jo detyrimisht në bazë të kualifikimit apo arritjeve të ekipeve përkatëse. /vipsport.al/