Luksi i Ardian Memës, të gjithë sulmuesit në dispozicion

Tirana në këtë sezon ka vuajtur jo pak mungesat si për shkak të dëmtimeve apo edhe për arsye pezullimi. Ndërkaq, një nga repartet i cili prej kohësh ka vuajtur mungesat, ka qenë sulmi. Megjithatë, tashmë alarmi duket se është larguar dhe trajneri Ardian Mema do ta ketë të plotë ofensivën në ndeshjen e së shtunës përballë Kukësit.

Kryeqyetasit kanë shlyer me gjobë pezullimin e Majkëll Ngo, teksa britaniku është një element shumë i rëndësishëm në majën e sulmit të 24-herë kampionëve të vendit. Në dispozicion do të jetë rregullisht edhe Greca, i cili pasi përfundoi në tribunë ndeshjen e kaluar për arsye disiplinore, ka lënë pas problemet dhe do të jetë i gatshëm. Ndërkaq, duket i integruar me grupin edhe Sentamu. Futbollisti nga Uganda iu bashkua me shumë vonesë skuadrës pasi u largua drejt vendlindjes së tij në ndërprerjen e kampionatit në dimër.

Oduamadi është futbollisti tjetër i repartit ofensiv, që duket të ketë lënë pas problemet fizike që e kanë shoqëruar për pjesën më të madhe të sezonit dhe është kthyer në gjendjen optimale, ndërsa në ndeshjen ndaj Teutës arriti të realizonte edhe golin e parë me fanellën bardheblu. Të gatshëm për Memën do të jenë edhe Kobinah e Grent Halili, me teknikun që tashmë problemin e vetëm do të ketë për të përzgjedhur titullarët.

/Egi Çabeli-VipSport.al/