Lojtari i muajit te Partizani, Asani: Nuk do ishte e mundur pa ndihmën e shokëve të skuadrës

Jasir Asani është shpallur lojtari i muajit mars teksa sulmuesi këtë sezon ka qenë një nga futbollistët më të rëndësishëm të Partizanit. 23-vjeçari ka qenë shpeshherë vendimtar për të kuqtë duke i dhënë një dorë të rëndësishëm kryeqytetasve në garën për titullin, teksa skuadra e trajnerit Skënder Gega pas shumë viteve pritje është pranë triumfit në kampionat, ndërsa tashmë zyrtarizimi i titullit është thjesht çështje matematikore.

Ndërkaq, vetë Asani ka shpërndarë në Instagram një foto teksa shihet me çmimin ndërkohë që ia ka dedikuar shokëve të skuadrës dhe stafit teknik të Partizanit. “Lojtari i muajit! Dua të falënderoj të gjithë shokët e skuadrës dhe stafin teknik, pasi pa ata nuk do e kisha marrë këtë çmim. Ecim së bashku!”, ishin fjalët që kishte përzgjedhur, Asani.

Jasir Asani deri në këto momente ka arritur të shënojë 7 gola duke qenë edhe golashënuesi më i mirë në skuadrën e Partizanit.