‘Lavdi Benito Musolinit’, tifozët lacialë provokojnë në rrugët e Milanos

Mbrëmjen e sotme luhet gjysmëfinalja e kthimit në Kupën e Italisë mes Milanit dhe Lacios. Pas barazimit pa gola në kryeqytet, bardhekaltërit do të kërkojnë kualifikimin në ‘San Siro’. Në mbështetje të skuadrës janë edhe grupet e tifozëve lacialë, të cilët kanë pushtuar rrugët e Milanos.

Bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm prej 4 mijë tifozëve, por ajo që ka bërë më shumë përshtypje ka qenë një banderolë e tifozerisë së Lacios. Në një nga sheshet e Milanos, tifogrupi ‘Irrudicibili’ ka shpalosur një banderolë gjigante në të cilën shkruhej: “Lavdi Benito Musolinit”.

Duçja siç thirrej ndryshe ishte një nga diktatorët më të egër të kohës, ndërsa kjo banderolë ka tronditur Italinë. Në fakt tifozët lacialë janë të njohur për prirjet e tyre fashiste dhe radikale megjithatë këtë herë duket se e kanë tepruar. Pas kësaj ngjarje të rëndë, me shumë mundësi do të merren masa ndërsa shpeshherë fansat e Lacios janë dënuar jo vetëm nga Federata Italiane por edhe nga UEFA për sjelljet e tyre në ndeshjet e klubit në Europë.

/Egi Çabeli-VipSport.al/