Laçi para provës së fundit për Europën, kërkon ndihmë ndaj Skënderbeut

Skuadra e Laçit luan këtë javë një ndeshje vendimtare sa i përket vazhdimësisë së kësaj skuadre në kampionat e sidomos tentativës së saj për të siguruar një vend në Ligën e Europës në edicionin e ardhshëm. Dy humbjet radhazi me Kukësin e Luftëtarin kanë komplikuar ndjeshëm ecurinë e skuadrës kurbinase e cila pas suksesit 5-0 ndaj Teutës, nuk është shfaqur më aq brilante, sidomos në fazën sulmuese.

Këtë javë, ekipi vihet përballë Skënderbeut, skuadrës që ka më lart në renditje dhe vetëm një fitore do t’i bënte punë në këtë drejtim, pasi përndryshe rrezikon që të shohë të largohen më shumë ekipet që ka më lart në renditje. Ndaj në këtë situatë, klubi ka kërkuar përsëri ndihmë nga tifozeria e skuadrës, e cila ka dhuruar gjithmonë mbështetje të fortë.

Klubi ka bërë thirrje nëpërmjet rrjeteve sociale për mbështetësit e kurbinasve, duke u bërë të qartë se sa e rëndësishme është ndeshja me Skënderbeun. Njëkohësisht, u është konfirmuar se hyrja do të ishte përsëri falas në dy tribunat, atë ballore dhe atë pas porte, me shpresën që shkallaret të mbusheshin edhe një herë dhe ekipi të kishte një armë më shumë përballë korçarve ku çdo gjë tjetër veç fitores do të cilësohej dështim. /vipsport.al/