Kukësi luan në Kamëz, klubi preferon tifozët dhe ‘harron’ kushtet e fushës

Kukësi do të rikthehet ditën e nesërme të luajë në stadiumin e Kamzës. Pas ndeshjeve në ‘Loro Boriçi’ dhe ‘Elbasan Arena’, klubi verilindor ka vendosur që takimin e Kupës, përballë Skënderbeut të kthehet në një stadium ku i garantohet një pjesëmarrje më e gjerë e tifozerisë.

Në fakt, kushtet e terrenit në stadiumin e Kamzës nuk janë më të mirat e mundshme, megjithatë duke qenë se Kupa e Shqipërisë është objektivi më i prekshëm për skuadrën, duke parë renditjen e kampionatit, atëherë ekipi ka nevojë për shtysën e tifozëve përballë korçarëve.

Ndërkaq, Kukësi po mendon që edhe në sezonin e ri të luajë në fushën e Kamzës, ndërkohë që klubi mund të marrë përsipër edhe të investojë në këtë stadiumin, në mënyrë që sezonin e ardhshëm skuadra të mos vuajë largësinë me tifozët por edhe të ketë mundësinë për të luajtur në një terren të përshtatshëm për një skuadër që pretendimet i ka të larta. Në këtë formë pavarësisht kushteve të fushës, Kukësi në këtë rast ka zgjedhur të jetë pranë tifozerisë.

/Egi Çabeli-VipSport.al/