Konkurrenca për Sarrin, një skuadër italiane ‘prish’ planet e verdhekuqve

Tashmë është bërë e ditur se trajneri i Romës për sezonin e ardhshëm nuk do të jetë më Klaudio Ranieri. Në këtë mënyrë, verdhekuqtë kanë nisur të mendojnë dhe të projektojnë teknikun e ri. Ëndrra e drejtuesve kryeqytetas mbetet Mauricio Sarri, i cili nuk e ka të sigurt të ardhmen e tij në drejtimin e Çelsit.

Ish-trajneri i Napolit shihet si njeriu i duhur për të udhëhequr ekipin, që në sezonin e ardhshëm po mendon të bëjë një revolucion në organikën e skuadrës, duke afruar futbollistë të rinj dhe me perspektivë.  Mirëpo, një tjetër skuadër duket se ka prishur planet e Romës, pasi Interi duket i prirur që pavarësisht se si mbyllet ky sezon, për sezonin tjetër të mos jenë nën udhëheqjen e Luçiano Spaletit, duke parë edhe konfliktet e trajnerit me drejtorin sportiv, Xhuzepe Marrota.

Edhe pse zikaltërit shohin si objektiv parësor trajnerin Konte, mbeten të interesuar nëse nuk mbyllin marrëveshjen me ish-trajnerin e Juventusit. Megjithatë, fillimisht duhet që Sarri të mbyllë aventurën në Londër, për të menduar më pas për një rikthim në kampionatin italian. /Egi Çabeli-VipSport.al/