Koliqi: Kam 20 vite në futboll, si ky Flamurtar s’kam parë kurrë!

Enea Koliqi ka qenë në superformë, e madje mund të quhet heroi i skuadrës vlonjate pasi ka shpëtuar portën nga disa gola të sigurt ndaj Kukësit. Në emisionin “Gol pas goli” në “Supersport”, Enea Koliqi pas ndeshjes së fituar me kuksianët ka pohuar: “E rëndësishme është fitorja dhe unë thjesht kam bërë detyrën time. Merita nuk shkon vetëm për Koliqin, por për tërë skuadrën”, – tha fillimisht portieri i skuadrës vlonjate.

Financat

Në Vlorë, duket se e kanë mendjen te pagat, pasi është folur se ditën e hënë do të ketë shlyerje të pagave të prapambetura, por edhe me një bonus prej 10%.  “Nuk ka ndryshuar asgjë edhe për anën financiare, djemtë luajnë pa presion. Kam 20 vjet që luaj futboll por është hera e parë që shoh një grup të tillë. Kemi vendosur në radhë të parë që të luajmë për skuadrën të zhvillojmë futboll duke dhënë më të mirën. Ne i presim rrogat, kemi dëgjuar shpesh që e hëna do të ketë zgjidhje, pasi ka pasur disa probleme. Jemi takuar disa herë dhe shpresojmë që të hënën apo të martën të kalojë ngërçi financiar”.

E shkuara me Kukësin

Koliqi ka luajtur me kuksianët, e madje duke fituar edhe titullin kampion. I pyetur nëse ka pasur ngacmime nga shokët që i ka pasur kundërshtarë në fushë ditën e sotme, Koliqi ka shtuar se:  “Gjatë ndeshjes që luajtëm ka pasur ngacmime sepse ato ekzistojnë. Me shumicën e djemve që luajnë te Kukësi jam në kontakte thuajse çdo ditë. Shkoj mirë me Rrumbullakun, Musollin, Shametin e shumë të tjerë”, – ka përfunduar Koliqi, një nga pikët e skuadrës vlonjate në javët e fundit.

E.S./Vippsort. al/