Koliçi dhe Kotobelli në një mendim: Çështja e rrogave zgjidhet së shpejti, na motivojnë Kupat e Europës

Para ndeshjes së nesërme ndaj Luftëtarit, në konferencë për shtyp kanë dalë dy futbollistët e Flamurtarit, Enea Koliçi dhe Blerim Kotobelli. Vlonjatët janë vendin e 3 dhe pretendojnë Kupat e Europës ndërsa nga ana tjetër, gjirokastritët synojnë mbijetesën. Në këtë formë pritet të jetë një ndeshje e luftuar dhe i këtij mendimi ishte dhe portieri, Koliçi.

“Normal që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, duke parë edhe ecurinë e Luftëtarit në këto ndeshjet e fundit. Është një ekip që nuk duhet nënvlerësuar. Kanë edhe një trajner shumë të mirë, që ka ndryshuar totalisht fytyrën e ekipit. Gjithsesi është një ndeshje që e luajmë në fushën tonë dhe kjo na favorizon. Besoj se do t’ia dalim me sukses. Motivi është vetëm trepikëshi. Duhet ta marrim që të vazhdojmë këtë ecuri pozitive që kemi pasur këto ndeshjet e fundit. Siç e thashë edhe më parë, do të jetë një ndeshje e luftuar nga të dyja krahët. Shpresoj t’ia dalim”, tha Koliçi.

Ndërsa mbrojtësi Blerim Kotobelli, në lidhje me rrogat tha se presidenti iu ka dhënë besimin se shumë shpejt çështja do të marrë zgjidhje, teksa shtoi se ekipi është shumë i motivuar për objektivin Europë.

“Është një situatë e vështirë, por presidenti na ka dhënë besimin se çështja e pagesave shumë shpejt do të zgjidhet. Ne shpresojmë të ndodhë ashtu. Në fushë nuk e mendojmë pjesën e rrogave, mundohemi të japim maksimumin. Nuk kam çfarë them më shumë, thjesht do zgjidhet shumë shpejt. Na motivon objektivi për kupat e Europës, ky është motivimi ynë i vetëm. Shpresoj ta mbajmë këtë vend dhe të arrijmë të realizojmë objektivin që ka klubi. Në fillim klubi donte kupat e Europës dhe ne shpresoj t’ia dalim. Ky është motivi ynë. Do t’i marrim ndeshjet një e nga një. Janë ndeshje të vështira, sigurisht, sikurse kjo me Luftëtarin. Duhet ta vlerësojmë dhe të mendojmë vetëm për tre pikët”, u shpreh Kotobelli.