Klasifikimi i Superiores/ Nis të marrë formë renditja, Europa dhe mbijetesa njohin pretendentët

Pas 29 javësh kampionat, duket se kanë nisur të qartësohen disi gjërat në Kategorinë Superiore pasi java e luajtur ditën e djeshme, ka krijuar jo pak hendeqe dhe distanca mes skuadrave. Duke nisur që nga Partizani i vendit të parë, e deri në Kastriotin e vendit të fundit, situata ka ndryshuar jo pak në lidhje me rivalët direkt.

Kështu, Partizani tashmë mund të konsiderohet kampioni i ri i Shqipërisë, pasi të kuqtë fituar 3-0 ndeshjen në tavolinë ndaj Kamzës, ndërkohë që Kukësi u mund nga Flamurtari, duke bërë që diferenca e pikëve të shkojë në +12. Kukësi që deri para ndeshjes me Flamurtarin po kërcënonte Partizanin, tashmë rrezikon edhe vendin e dytë duke qenë se Flamurtari ka vetëm një pikë më pak.

Europa duket se po i njeh pretendentët kryesorë, me Kukësin dhe Flamurtarin që aktualisht e shohin veten të shkëputur disi nga vendi i katërt. 4 pikë më shumë ka Flamurtari dhe pesë më shumë ka Kukësi nga Teuta që gjithashtu sheh nga Europa.

Mesi i tabelës ende nuk ka siguruar asgjë, qoftë për mbijetesën po ashtu edhe për Europën. Të dyja frontet duken aq sa larg, po aq edhe afër me skuadrat që me hap të gabuar mund të rrezikojnë shumë, ndërkohë që mund edhe të afrohen me skuadrat e kreut. Situata ndryshon në zonën e ftohtë.

Kastrioti që ishte një nga skuadrat më në formë të momentit u mund nga Skënderbeu me rezultatin 4-0, ndërkohë që Tirana dhe Luftëtari arritën të fitonin duke përmirësuar ndjeshëm pozitat e tyre me krutanët. Kastrioti i vendit të fundit, tashmë numëron 30 pikë, 6 më pak se Tirana dhe 7 më pak se Luftëtari që ishin edhe rivalët direkt të krutanëve. Kur kanë mbetur edhe 6 javë nga mbyllja e kampionatit, gjithçka mund të ndryshojë pasi në lojë janë edhe 18 pikë dhe të vetmet ekipe që e kanë siguruar matematikisht qëndrimin në Superiore, janë Kukësi dhe Partizani. /Erjon Allaraj-VipSport.al/