Kategoria Superiore/ Objektivat e skuadrave, nga Europa te mbijetesa

Ditën e sotme do të luhet java e 29 e Kategorisë Superiore, teksa tashmë kampionati po luan fazën e katërt dhe ka hyrë në javët vendimtare. Në këtë formë të gjitha skuadrat kanë objektiva për të arritur, ndërsa bie në sy gara për një vend në Kupat e Europës apo lufta për mbijetesë.

Ndërkaq, Kukësi pas fitores në javën e kaluar në Laç, do të kërkojë vazhdimësinë përballë Flamurtarit. Verilindorët do t’i duhet të marrin 3 pikët për të shpresuar te titulli pasi rivalët e Partizanit kanë marrë fitoren në tavolinë pasi kalendari i rezervonte Kamzën. Në anën tjetër, vlonjatët tashmë në vendin e 3, me formën e shfaqur së fundmi janë pretendentët kryesorë për një vend në Europë.

Tirana e cila është përfshirë në vallen e mbijetesës do t’i duhet të përballet në transfertë me Teutën. Durrsakët pas rezultateve negative të javëve të fundit do të kërkojnë të kthehen te rezultatet pozitive, ndërsa kryeqytetasve një hap fals mund t’iu kushtojë rëndë.

Një sfidë aspak e lehtë edhe për skuadrën tjetër që pretendon qëndrimin në elitë, Kastrioti. Krutanët udhëtojnë në transfertë përballë Skënderbeut. Korçarët edhe pse u mposhtën në ndeshjen e fundit, besojnë te një vend në Kupat e Europës pasi janë vetëm 4 pikë nga vendi i 3.

Sakaq, Luftëtari do të presë në shtëpi Laçin. Gjirokastritët u duk sikur krijuan një distancë sigurie nga vendet e fundit, por disfata në ndeshjen e kaluar përballë Kastriotit, i ka vënë sërish nën presion. Nga ana tjetër, kurbinasit nuk kanë hequr dorë nga pretendimet për një vend në Kupat e Europës. /Egi Çabeli-VipSport.al/