Karabeci zbulon konfliktet te bardheblutë: Afrikanët nuk e njohin fanellën e Tiranës

Kapiteni i Tiranës, Erando Karabeci realizoi ndaj Teutës një supergol dhe në përfundim të takimit foli për ‘Supersport’ duke nxjerrë në pah problemet e skuadrës ku fajin ia faturon renditjes dhe formës së dobët. Sakaq, ai ka folur edhe për afrikanët, për të cilët shprehet se nuk e dinë peshën e fanellës.

“Ishte një ndeshje shumë e vështirë për ne, duke pasur parasysh pozitat që ka Teuta që lufton për një vend në Europë. Ishim të vetëdijshëm që ishte ndeshje e vështirë, me përjashtim të ndeshjeve të fundit ku nuk ishim në lartësinë e duhur, në fazën e tretë kemi bërë ndeshje shumë të mirë. Që me ndeshjen me Laçin që na barazuan në fund, ndoshta ndikoi psikologjikisht dhe bëri të pësonim rënie. Por jam i lumtur se ekipi tregoi se kur jep maksimumin e përqendrohet, mund të shfaqë vlera të mëdha e tregojë në fushën e lojës.

Nuk ka përfunduar asgjë, na gëzon fitorja e Skënderbeut se siç dihet Kastrioti e Luftëtari janë rivalët tanë. Por ne jemi të fokusuar të ndeshjet tona, nëse marrim maksimumin nuk kemi pse kthejmë kokën pas. Na presin ndeshje të rëndësishme si ajo e javës së ardhshme ndaj Kukësit.

Konfliktet? Nuk mund të them që kemi probleme, por vetë renditja e pozitat në klasifikim bënë që lojtarët të jenë nën trysni e të humbin qetësinë e të thonë ndonjë fjalë më shumë se sa duhet. Jemi grup i bashkuar, kemi synimet tona dhe jemi të bindur të marrim maksimumin dhe të marrim atë që na duhet. Thjesht janë nerva momenti për vetë pozitat që kemi.

Motivimi si kapiten? Ndoshta lojtarët afrikanë nuk e dinë se çfarë do të thotë fanella e Tiranës, apo ndonjë i ri. Por jam i ndërgjegjshëm që duhet ta bëj punën sa më mirë, jam i vetëdijshëm që nuk e kam bërë siç duhet e të mos kemi më kështu problemesh.

Pa paragjykuar grupin, para dy vitesh kishim ndoshta një ekip më cilësor se tani, por nuk ditëm si tani t’ia dilnim. Jemi disa lojtarë që përjetuam atë makth dhe e dimë çfarë do të thotë të përjetosh atë lloj ndjesie, bëjmë maksimumin që të mos ndodhë më ajo fatkeqësi e para dy viteve”, tha Karabeci. /VipSport.al/