Jupi: Rivaliteti nuk garanton cilësi, nuk e kuptoj pse duan të qëndrojnë në Superiore

Ish-futbollisti Redi Jupi, mendon se rivaliteti i Superiores, nuk është e thënë që të prodhojë cilësi. Sipas tij, rivaliteti i hapur për të gjitha ekipet, i heq mundësinë futbollit shqiptar të shohë në fushë të rinj. Në “Procesi Sportiv”, ai deklaroi se nuk e kishe kuptuar ende se pse shumë ekipe të fundit të tabelës kërkonin të mbijetonin në Superiore kur kjo kishte vetëm humbje e jo fitime.

“Ishte javë që nuk pati lëvizje për kreun. U hap shumë loja për vendin e tretë që të çon në Europë dhe kemi një javë në disfavor të Tiranës. Rivalët fituan ndërsa ajo la pikët në Vlorë. Luajti, bëri diçka më shumë se sa mori, por në futboll rezultati nuk paragjykohet. Flamurtari nuk vodhi gjë, bëri lojë të kujdesshme edhe për objektivat. Ka një veçori që të gjitha skuadrat janë në lojë për gjithçka, që nuk ndodh në vitet e fundit.

Kampionat i fortë? Për ta cilësuar kampionat të fortë, për rivalitet po, por kjo është vetëm një nga 10 elementët. Rivaliteti mund të jetë, por rivaliteti jo domosdoshmërish e bën cilësor.

Janë edhe 8 ndeshje për të luajtur, nuk janë shumë. Vjet ishte një skuadër që ishte në fund e të vazhdonte kampionatin me atë ritëm do të shkonte shumë lart. Skuadrat të cilat luftojnë për të rënë nga kategoria kanë një motiv më të lartë se i lidh halli me njëra-tjetrën. Mua më çudit interesi i madh i skuadrave për të qëndruar në kategori që nuk të sjell asgjë, përveç krenarisë lokale e klubit. Por në aspektin financiar çfarë të sjell, sa janë të ardhurat nga të drejtat nga bileta, nga marketingu?

Ne duhet të shohim çfarë po zgjon ky kampionat. Lufta për kategori bën që të mos promovohen të rinj. Në çdo kampionat tjetër, skuadrat nga mesi e poshtë janë ata që promovojnë të rinj”, tha Jupi. /vipsport.al/