Jupi: Partizani nuk është i pari nga cilësia, nuk e beson kush që ka ekip me 12 pikë para Kukësit

Redi Jupi beson se kampionati shqiptar është i mbyllur sa i përket luftës për titull, por Partizani sipas tij nuk është ekipi më cilësor në Superiore. Në “Procesi Sportiv” ai argumentoi se ekipi ka përfituar nga gabimet, por lojën më të bukur e dhuron Kukësi.

“Partizani e ka fituar kampionatin me kohë se ka bërë më pak gabime se te tjerët. Të tjerët nuk kanë kompetentet për të vënë në vështirësi Partizanin. Nuk po bëhet rivalitet i madh, përtej atij pak fiktiv të mbijetesës apo atyre që shkojnë në Europë. Është rivalitet pikësh e jo teknik. Partizani e ka fituar kampionatin se bëri më pak gabime se të tjerët. Kampionati është mbyllur pavarësisht skaramancisë. Por ka ndeshje shumë të rëndësishme ku nëse Partizani nuk fiton me një ekip duke mos luajtur në maksimum, do të ndërhyjë direkt në luftën për mbijetesë. Do të doja që Partizani të luante deri në fund e të respektonte kampionatin.

Po shihja ndeshjen e Kukësit me Flamurtarin, aty shihet që puna që ka bërë stafi me lojtarët është e nivelit të lartë sepse nga cilësia nuk është as në vend të parë e as në vend të dytë në kampionat. Kur ka pasur 11-shen e parë mund të konkurronte për vendet e larta. Kukësi ka lojtarë të nivelit shumë të lartë, ato 20 minuta të para ishin të një cilësie shumë të lartë loje, lojtarë që hynin në lojën një kundër një, krijonin shumë. Vërtet është një skuadër që nuk ka shumë ekuilibër, por është dhe e orientuar në sulm me fantazi e kreativitet. Nëse përmirësohet me 1-2 lojtarë është një skuadër e fortë për vitin tjetër. Të sjellësh dikë të shohë Kukësin e t’i thuash që ka një ekipe 12 pikë para tij, nuk të beson.

Flamurtari pati shumë probleme dhe me lojtarë të larguar. Pas minutës së 30 tregoi se ka cilësi loje, qarkullim topi. Ajo është një skuadër që nuk është pjesë e kompromiseve. Luan për vete, unë nuk e di paguhen apo jo, por një skuadër që është jashtë kompromiseve e luanë për vete zbukuron kampionatin”, tha Jupi. /vipsport.al/