Jasir Asani modest: Nuk e ndjejmë ende veten kampion, mendjen e kam vetëm te Partizani

Përkrah trajneri Skënder Gega, në konferencë për shtyp ditën e sotme ka dalë edhe Jasir Asani i cili me modesti shprehet se ende nuk e ndjen veten kampion duke qenë se do të luhen edhe 7 ndeshje të tjera. Sakaq, Asani nuk ka pasur dëshirë që të flasë për të ardhmen e tij, duke u shprehur se mendon vetëm për Partizanin.

“Nesër kemi ndeshje të rëndësishme, por kemi edhe ndeshje për të dhënë maksimumin. Nesër do të jetë fushë e keqe, por jemi përgatitur për atë fushë dhe do të japim më të mirën.

Kukësi? Po fituam nesër do të jetë më e lehtë për ne dhe gjërat besoj se do të shkojnë siç duhet.

Kupa? Normalisht e kishim objektiv Kupën dhe Kampionatin, por ka ndeshje të tilla që humbin, por dhe ne jemi lojtarë që kemi ditë të zezë që mund të mos japim më të mirën. Jemi të përqendruar vetëm në kampionat.

E ardhmja? Tani për tani mendoj vetëm për Partizanin. Nuk e ndjej veten kampion ende pasi kemi edhe 7 javë dhe shohim ndeshje pas ndeshje. Nuk e di fundin e sezonit pasi golashënuesi më i mirë i Partizanit del nga ndihma e lojtarëve dhe duke më ndihmuar tjerët, mund të dal më mirë.

Sezoni më i mirë? Besoj se po pasi kemi ekipin më të mirë dhe kemi treguar veten duke dhënë më të mirën dhe besoj se ky është momenti. Skautët? Nuk e di unë nëse vijnë apo jo në stadium.

Golashënues? Te ne nuk ka rëndësi kush shënon pasi kanë shënuar të gjithë. Për ne ka rëndësi që të fitojmë ndeshjet dhe jo se kush shënon gola”, tha Asani. /VipSport.al/