Intervista për “Vipsport”, Dunga: Unë dhe Luftëtari jemi në formë, kemi traditë dhe meritojmë më shumë!

Ismail Selim Dunga, duket se është njeriu i momentin në Superiore dhe me golat që ka realizuar në javët e fundit, në kampionat por edhe në Kupën e Shqipërisë po shfaqet si lider në radhët e skuadrës së Luftëtarit, por edhe në Superiore. Fillimisht ishte trajneri Gentian Mezani që i dha besimin dhe Dunga shënoi në Kupën e Shqipërisë aty ku numëron 3 gola, ndërsa në kampionat ka tundur plot 6 herë rrjetat kundërshtare dhe golat e tij si për koiçidencë kanë pasur vlerën e 3 pikëve për bluzinjtë. Në një intervistë dhënë për “Vipsport.al”, Ismail Dunga, tregon emocionet dhe formën e mirë që po kalon dhe dëshirën për të qenë në listën e shënuesve më të mirë të Superiores.

-Dunga sërish gol me vlerën e 3 pikëve…

Jam shumë i lumtur dhe suksesi nuk është vetëm i imi por i gjithë skuadrës. Luftëtari meriton më shumë sepse ka një grup shumë të mirë lojtarësh. Unë po luaj dhe duke qenë se jam sulmues kam si detyrë që të shënoj sa më shumë dhe t’i shërbej skuadrës.

-Por iu anulua edhe një gol ndaj Laçit, pasi sot do ishit në kuotën e 10 golave?

Do të ishte mirë që të kisha realizuar dopietë, por mjafton edhe një gol për 3 pikët. Unë nuk mund të komentoj vendimet e gjyqtarëve. Jam futbollist profesionist dhe tashmë më duhet që të mendoj për ndeshjen e radhës si dhe për të shënuar sërish sepse jam në një formë të mirë, unë por edhe skuadra.

-9 Gola të shënuar, ndërkohë që në vetëm për gjysmën e dytë të sezonit sepse në pjesën e parë keni qenë thuajse në “hije”

Trajnerët kanë idetë e tyre dhe unë kam detyrë që të stërvitem dhe t’i tregoj se jam i gatshëm kur luaj. Me ardhjen e trajnerit Ahmataj kam më shumë hapësirë. Unë kudo ku kam luajtur jam shfaqur si shënues. Në Gjirokastër po më ndihmon shumë edhe skuadra. U jam mirënjohës dhe jam këtu që t’i shërbej sa më shumë skuadrës dhe qytetit të Gjirokastrës që ekipi i tyre të jetë në elitë sepse e meriton.

-Cili ka qenë më i bukur?

Të gjithë kanë rëndësi të madhe, sidomos për skuadrën në këto momente.

-Ndeshja e radhës me Flamurtarin, cilat janë synimet që ju keni?

Në çdo ndeshje, nëse trajneri më jep besimin dhe luaj unë futem në fushë për të dhënë më të mirën time dhe skuadra sidomos të marrë 3 pikët.

-Po për golat, a do të vazhdoni të shënoni çfarë synoni në aspektin personal?

Mua më intereson më shumë skuadra kështu si ka vajtur kampionati këtu. Pastaj, në aspektin personal dua që të shënoj sa më shumë dhe të jem në listën e shënuesve më të mirë. Jam në një forme shumë të mirë dhe besoj se Luftëtari do të jetë në elitë sepse e meriton dhe unë do të jem një nga shënuesit më të mirë në Superiore.

Intervistoi: Erjon Saliu/Vipsport.al/