Interi hajmali për ekipet europiane, Barcelona, Totenhem dhe Frankfurt prekin gjysmëfinalet

Interi këtë sezon u rikthye në Ligën e Kampionëve, teksa zikaltërit u shortuan në një grup të vështirë me Barcelonën, Totenhem dhe Ajaks. Skuadra e trajnerit Spaleti nuk ia doli të kalonte grupin edhe pse shfaqi lojëra të mira, ndërsa e humbi kualifikimin në dy ndeshjet e fundit.

Ndërkaq, duke parë ecurinë se sa lartë kanë shkuar ekipet që janë ndeshur zikaltërit, ndoshta në Milano do të jenë të hidhëruar. Totenhemi dhe Barcelona janë në gjysmëfinale të Champions, ndërsa Ejntrahti Frankfurtit ka arritur gjithashtu në gjysmëfinalet e Europa League. Në fakt, diçka e tillë mund të merret edhe nga ana e kundërt teksa Interi është kthyer në një hajmali, duke parë ecurinë që kanë pasur ekipet me të cilat janë ndeshur ziklaltërit.

Ndërkohë, tashmë zikaltërit janë totalisht të përqendruar në kampionat për të siguruar sërish në sezonin ardhshëm kualifikimin në Ligën e Kampionëve, këtë radhë për të qenë ata protagonistët kryesorë dhe jo në rolin e hajmalisë për kundërshtarët.

/Egi Çabeli-VipSport.al/