Ilir Daja: Koliçi na mbajti në lojë, ja batuta që bëra me Sukajn kur u ndërrua!

Pas ndeshjes me Kukësin, trajneri Ilir Daja ka pranuar se Flamurtari vuajti në fillim dhe ka komplimentuar portierin Koliçi për pritjet vendimtare. Ai ka theksuar gjithashtu se është shumë e vështirë të përballosh tri ndeshje shumë të vështira me 11 lojtarë:

“Jam i kënaqur, sepse kemi fituar ndaj vendit të tretë, sot ndaj vendit të dytë, Kukësit. E kemi nisur ndeshjen jo mirë, me shumë probleme. Vlen të përmendet fakti se ndër lojtarët më të rëndësishëm ishte Koliçi, i cili na mbajti në lojë, sepse nuk kishim ekuilibër prapa. Dihet që 70% të ndeshjeve i fiton ekipi që fiton i pari. Më pas arritëm ta ekuilibronim lojën. E dinim shumë mirë se do të ishte e vështirë.

Brenda një javë, me 11 lojtarë, të përballosh tri ndeshje shumë të forta, është shumë e vështirë. Jo se nuk kemi besim te stoli, por janë ndeshje të rëndësishme, që duhen përballuar me përvojë.

Kur u ndërrua Sukaj, bëra një batutë me të. I thashë: “Nuk e di kur në karrierën tënde, në 5 ndeshje të kesh bërë 4 gola. Lojtarët me përvojë na ndihmojnë shumë, pasi e mbajnë grupin të bashkuar. Të gjithë bashkë, ata më motivojnë mua dhe unë ata. Kur them unë, i gjithë stafi. I kemi marrë ndeshjet një e nga një. Duhet të ulemi me këmbë në tokë, pas një dite pushimi, që ekipi e meriton plotësisht. Presidenti ka qenë shumë afër ekipit dhe besoj se ai do t’i japë zgjidhje situatës.

Kishim menduar ta kapnim Kukësin me presing sipër, sepse nëse afrohej, me potencialin që ka, do të ishte shumë i rrezikshëm dhe do të na i vështirësonte gjërat. Çifti i krahut të djathtë i Kukësit funksiononte shumë mirë”, – u shpreh trajneri Daja. / Vipsport.al