I gatshëm të largohet nga Italia, talenti i Sasuolos: Kurrë nuk e kam mohuar dëshirën të luaj për Shqipërinë

Futbolli italian është kthyer në një plantacion për talentet shqiptare të cilët po shtohen çdo ditë e më shumë, duke filluar që nga ekipet e moshave, e deri në skuadrat të cilat militojnë në Serinë A italiane. Një nga talentët më premtues, është mesfushori Alesandro Ahmetaj i cili aktivizohet me të rinjtë e Sasuolos dhe në të kaluarën ka qenë edhe pjesë e grupmoshave të Italisë, ku për ironi të fatit, ka luajtur edhe përballë Shqipërisë U17.

Në një intervistë për ‘VipSport’, Ahmetaj shprehet se kurrë nuk ka mohuar dëshirën që të luajë për Shqipërinë, ndërkohë që pranon se ka pasur kontakte edhe me FSHF-në.

Alesandro, gola të shënuar dhe minuta të mjaftueshme te Primavera Sasuolo. Kur do të të shohim me ekipin e parë?
Kam pak që jam kthyer nga një dëmtim dhe kam shënuar 2 gola dhe 1 asist në 3 ndeshjet e fundit. Po punoj fort që të arrij në ekipin e parë deri në fund të sezonit dhe që të marr ftesë nga trajneri De Zerbi.

Së bashku me ju luan edhe një tjetër shqiptar, Aristidi Kolaj. Duke qenë se ai luan për kuqezinjtë, a të ngacmon në lidhje me këtë?
Po është e vërtetë. Shpesh herë kur jemi bashkë, më thumbon dhe bëjmë shaka. Më thotë: ‘Pse nuk vjen të luash te Shqipëria’ (qesh).

Duke qenë se ke luajtur me të rinjtë e Italisë, sa të ndihmon për karrierën?
Është normale që çdo Kombëtare e ka atë anën e reklamimit, por unë jam i mendimit që të fokusohem vetëm te Sasuolo. Kombëtarja është diçka plus që vjen nga rezultatet që unë mund të kem në kampionat me ekipin tim.

A je i gatshëm të largohesh nga Italia për Shqipërinë?
Unë asnjëherë nuk e kam mohuar dëshirën për të luajtur me Kombëtaren shqiptare. Gjithçka mund të ndodhë…

A ke pasur kontakte nga drejtuesit e Federatës Shqiptare?
Kontaktet e fundit me FSHF-në i ka pasur vitin e shkuar, por sivjet është bërë pengesë dëmtimi im dhe nuk kam pasur kontakte. /Erjon Allaraj-VipSport.al/