Hafizi jep emrin e trajnerit ideal për Kombëtaren: Ja pse Duka i trembet trajnerit shqiptar

Që nga largimi i Panuçit, Shqipëria nuk ka trajner. Në media po lakohen emra të shumtë në lidhje me pasardhësin e Panuçit dhe një ndër to është Edi Reja. Tekniku italian, sipas trajnerit Astrit Hafizi është emri më i denjë për Kombëtaren pasi ka eksperiencë në Itali. Sakaq, ai ka folur edhe për mungesën e një trajneri shqiptar në krye të stolit, duke treguar edhe arsyet pse Duka nuk i besoj një trajneri të tillë.

“Nëse i referohemi deklaratës se është epoka për trajnerë të huaj, Reja është zgjedhja më e spikatur për trajner. Edhe pse përdoret mosha e një trajneri, nuk duhet menduar se ka probleme të lëvizë në fushë. Mjafton që të ketë staf të mirë dhe të kryejë punën. Ai është i qartë dhe i freskët në analiza dhe CV e tij e tregon. Një trajner që ka drejtuar 15 vjet në Seria A, është e mjaftueshme edhe pse nuk ke drejtuar Inter, Milan e Juve.

Trajner shqiptar? Me ardhjen e Dukës që po bën 18 vjet, nuk ekziston fjala ‘trajner vendas’. Duhet hequr përgjegjësia nga vetja pasi trajner shqiptar ka përgjegjësi dhe presion më të madh duke filluar nga politika e te njerëzit e thjeshtë. Është e pashmangshme dhe po kalojnë vite por nuk ka trajner shqiptar.

Duhet bërë një bilanc dhe duhet menduar se në këto 18 vjet kemi pasur sukses apo dështim. Nëse i referohemi veç Europianit, të kalosh pas 18 vitesh në Europian është gëzim, por të flasësh për punën kemi qenë skeptikë për punën e De Biazit dhe sezonet që kaloi. Ai qëndroi 4 vite e gjysmë, po nëse rrinte dhe Panuçi 4 vite e gjysmë? Edhe ai ishte pa emër dhe e vuri emrin. Pse ky pas Shqipërisë nuk gjeti një punë tjetër përveç se te Alavesh që dështoi?

A prodhon Shqipëria trajner? Si matet trajneri shqiptar? Me vite eksperience dhe me prova, por nuk mund të matet pa e vënë në provë. CV e një trajneri është matëse dhe mendoj se për këtë është menduar Dukën. Ne kemi pasur rezultate edhe me trajnerë shqiptarë. Edhe në vitet 86 mund të shkonim në Europian, kemi mundur edhe Belgjikën. Nëse vëmë një trajner shqiptar për miqësi, nuk është e drejtë”, tha Hafizi. /VipSport.al/