Goli i parë bardheblu, Oduamadi: I lumtur që ndjehem përsëri një futbollist

Duhej të ishte afrimi më i bujshëm i Tiranës në këtë sezon për të ndihmuar që bardheblutë të bënin hapin e rëndësishëm drejt Europës. Por një dëmtim i rëndë në ligamentet e gjurit bëri që Namdi Oduamadi të humbte pjesën më të madhe të sezonit, për t’u kthyer vetëm tani në fazën e fundit e për t’u vënë nën urdhrat e trajnerit Mema.

Impakti ka qenë i menjëhershëm, me golin e tij të parë në Superiore të shënuar përballë Teutës në një ndeshje shumë të rëndësishme për mbijetesën e sidomos për të treguar vlerat e tij me fanellën e kësaj skuadre e për të garantuar klubin që mund të kthehet përsëri në formën më të mirë.

“Jam me të vërtetë i lumtur që ndjehem përsëri si një futbollist dhe luaj përsëri me Tiranën. Kjo ishte shumë e rëndësishme për mua. Nuk mund të shpresoja për një fillim më të mirë për rikthimin tim nga dëmtimi. Mua m’u dha mundësia të luaj përsëri dhe kisha fatin të shënoja gol. Kjo më gëzon edhe më shumë”, tha Oduamadi për mediat ne vendlindje,.

Sulmuesi pritet që të jetë pjesë kryesore e skemave ofensive të skuadrës së Tiranës në anët e mbetura të këtij sezoni. /vipsport.al/