Gjoka:Tirana do të jetë agresive, në shkëputjen e Partizanit ka ‘dhënë një dorë’ edhe Kukësi

Në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Tiranës, trajneri i Kukësit Ernest Gjoka është shprehur se ndaj bardhebluve, verilindorët do të kërkojnë rezultatin maksimal edhe pse kundërshtari është në një moment të vështirë dhe shkalla e vështirësisë do të jetë maksimale. Ndër të tjera tekniku u shpreh se me gabimet gjatë kampionatit, Kukësi në njëfarë mënyre ka ndihmuar Partizanin të shkëputet.

Për Tiranën

“Tirana është në një moment mjaft të vështirë dhe kjo e komplikon ndeshjen. Do të jenë agresivë për të marrë maksimumin, kjo do të rrisë edhe më shumë adrenalinën e ndeshjes. Edhe në kemi objektivat tonë dhe na duhet rezultat pozitiv. Shkalla e vështirësisë do të jetë maksimale”.

Ndeshja e kaluar me Flamurtarin

“Futbolli prandaj është i bukur, pasi është i paparashikueshëm. Kur menduam se e kishim ndeshjen nën kontroll, po luanim mirë, po krijonim dhe po humbnim raste, atëherë kundërshtari na goditi në një moment që loja ishte nën kontrollin tonë. Në analizën që kemi bërë me ekipin u kam thënë djemve që ajo ndeshje duhet të na bëhet mësim. Duhet të jemi më cinikë. Nëse shënonim, ndoshta do ishte ndryshe. Pësuam një humbje që nuk duhej, pasi do i shërbente skuadrës për moralin. Do kishim bërë një hap më të sigurt për vendin e dytë. Shohim përpara”.

Kalendari

“I kam thënë skuadrës që këto tetë javë janë sa një vit për objektivat. Kështu që për ne nuk ka më e diel e mërkurë. Të gjitha janë ndeshje të rëndësishme. Problemi janë dëmtimet, madje të parikuperueshme dhe që zgjatin. Kështu që do shtrëngohem dhe kam besimin që çdo lojtar që do të jetë në fushë do të japë maksimumin”.

Rezultatet

Edhe kur isha jashtë Kukësit, thuhej që kjo skuadër ka cilësi. Një nga faktorët që ka ndikuar është stadiumi, ekipi ka luajtur ashtë. Akoma nuk kanë gjetur një ekuilibër për të luajtur. Ky është një nga problemet. Skuadra kurrë nuk ka dhënë maksimumin për cilësitë që ka. Ka pasur kohë shumë, por edhe pak. Në janar prurjet nuk e kapën mentalitetin e Kukësit. Ata duhet ta kuptojnë që janë skuadra elitare. Kur vjen te Kukësi, vjen për të dalë kampion. Këtu nis presioni dhe kush nuk e kupton bie moralisht seria të kape ritmin. Disa nga këto faktorë kanë ndikuar që Kukësi të bëjë disa hapa fals. Sigurisht edhe Partizani ka bërë një kampionat shumë të mirë, por edhe Kukësi e ka ndihmuar pa dashje të shkëputet kaq shumë”.

Stadiumi vitit tjetër

“Sigurisht që do të jetë e vështirë. Presidenti po mundohet që tani që të sigurojë një shtëpi për Kukësin, që të jetë një stadium i përhershëm për gjithë vitin tjetër. Kjo gjë do të ishte shumë pozitive për Kukësin. Një vend që po mendohet nga presidenti të marrë stadium me qira është një stadium që ka shumë banorë nga Kukësi. Në Kamzë? Sigurisht.”