Gjoka fal agresorët: Rrëshqita nga frika, më është bërë Shkodra stres

Ish-trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka është paraqitur ditën e sotme para Gjykatës së Shkodrës për të dhënë dëshminë e tij mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur kur tekniku ishte nën drejtimin e shkodranëve. Gjoka në udhëtimin e tij drejt Shkodrës ka qenë i shoqëruar nga policia, ndërsa në dëshminë e tij në Gjykatë ka rrëfyer atë çfarë ka ndodhur në shkurt të vitit 2018.

“Sapo dola nga stërvitja, një djalë me kasketë në kokë m’u afrua. Ai nxori një thikë dhe më sulmoi. U ndesha fizikisht me të dhe ai iku me vrap. Nuk arrita ta njoh. Fillimisht më goditi në kokë, nga pas shpine. Reagova, e godita dhe unë për t’u mbrojtur. Më doli përballë më pas, nxori thikën për të më goditur. Unë mora një biçikletë, që ishte aty afër dhe u mundova ta gjuaj. Nga frika rashë në tokë dhe i shtrirë e gjuajta me shkelm. Agresori iku.

Nuk kam pasur asnjë debat me atë djalin më përpara. U përplasëm të dy dhe ai m’u vërsul me thikë. Kur unë dhe ai u rrëzuam përtokë, kapiteni Gilman Lika la çantën dhe u afrua, por agresori iku me vrap. Konflikte nuk kam pasur, por kur isha trajner te Vllaznia kisha probleme për futje të ndonjë futbollisti në lojë. Kam bërë një denoncim edhe përpara, problemi u zgjidh, sepse policia thirri prindërit e tij. Agresorin nuk e kam njohur më përpara.

Nuk ishte goditje për të marrë mjekim në spital. Nuk di ta përcaktoj përmasën e thikës, sepse ishte një moment tensioni dhe frike. Isha në kontakt me të dhe rrëshqita edhe nga frika. Thikën më duket se e nxori nga trupi. Unë s’kam parë askënd tjetër, përveç atij që më goditi. Nuk më tha asnjë fjalë. Ndodhi gjithçka shumë shpejt”, tha Gjoka. Ndërkaq, pasi mbaroi seancën trajneri u shpreh se tashmë i ka falur dy djemtë, të cilët janë të arrestuar nga policia, pasi nuk ka më asnjë interes mbi këtë çështje.

“Më vjen keq, unë i kam falur dy djemtë edhe për familjet e tyre. Unë si Ernest nuk kam asnjë interes në këtë çështje. Nuk më intereson fare, sepse më është kthyer Shkodra në një stres shumë të lartë. Kur filloj e mendoj për çfarë ka ndodhur sulmi ndaj meje dhe nuk gjej asnjë shkak, më vjen shumë keq. Unë dua ta mbyll një herë e përgjithmonë këtë histori”, u shpreh Gjoka.