Gjesti i Bakajoko–Kesi me Açerbin, zbulohet prapaskena me shokët e ekipit Bilia dhe Muzakio

Veprimi i dyshes së Milanit, Bakajoko-Kesi, që festoi fitoren ndaj Lacios me fanellën e Açerbit si trofe, është kritikuar nga të gjithë, jo vetëm nga kampi bardhekaltër, por edhe ai kuqezi. Por në ato momente ka ndodhur diçka, që nuk u bë publike.

Prapaskena ka të bëjë me dyshen tjetër të Milanit, Bilia-Muzakio. Çfarë kanë bërë këta dy lojtarë? Janë përpjekur t’i ndalin Kesi dhe Bakajokon për të bërë atë që bënë, por nuk ia arritën qëllimit. Açerbi reagoi në rrjetet sociale për gjestin e dy mesfushorëve të Milanit, po ashtu edhe Imobile.

Açerbi ndërroi fanellën me Bakajokon në shenjë paqeje, por ish-lojtari i Çelsit e valviti fanellën si trofe të fituar, një veprim që solli shumë reagime mediatike dhe në rrjetet sociale. Një gjest i shëmtuar dhe aspak sportiv. Bilia dhe Muzakio ishin ata që u përpoqën më shumë t’i ndalonin shokët e skuadrës, por fanella e Açerbit u valvit mjaftueshëm për t’u fotografuar dhe kapur nga kamerat.

Një gjest i bukur ai i ish-kapitenit të Lacios, Lukas Bilia, dhe i lojtarit tjetër të Milanit, Muzakio. / Vipsport.al