FOTO / FSHF bën ndryshim të rëndësishëm në Ekzekutiv, por “harron” udhëzimin kryesor të UEFA-s

FSHF ka vendosur të ndërmarrë një hap të rëndësishëm duke ndryshuar strukturën e Komitetit Ekzekutiv, duke filluar nga mandati i ardhshëm nëpërmjet Statutit i cili do të kërkohet të miratohet në Asamble. Ndryshimet janë pasojë e disa kërkesave specifike që u ka bërë UEFA, por edhe situatës së re të krijuar me Ligën Profesioniste.

Kësisoj, nga tani e tutje, Komiteti Ekzekutiv do të ketë të njëjtin numër anëtarësh, 11, por përbërja ndryshon. Në dokumentin e siguruar nga Vip Sport rezulton se përveç Presidentit të FSHF, tani anëtarë të Ekzekutivit do të jenë automatikisht edhe presidenti i Shoqatës së Gjyqtarëve, si dhe presidenti i Ligës Profesioniste. Vetëm Presidenti i gjyqtarëve ishte automatikisht më parë pjesë e Ekzekutivit.

Ndërkaq, në 8 vendet e mbetura në Ekzekutiv, me anëtarë të cilët do të zgjidhen nga Asambleja, të paktën një do t’i rezervohet një anëtareje femër. Kjo është një direktivë e qartë e UEFA-s për gjithëpërfshirjen, në një shkresë me 10 sugjerime që u ka dërguar federatave të saj anëtare që në muajin tetor të vitit të kaluar.

Çuditërisht, FSHF ka vendosur që të vazhdojë duke mos iu përgjigjur kërkesës kryesore të UEFA-s në këtë udhëzim që u është shpërndarë Federatave të ndryshme, atë të kufizimit të mandateve. Vip Sport ka mësuar se në dokumentin në fjalë, UEFA u ka kërkuar të gjithë Federatave që të ndiqet shembulli i saj, ku Presidenti dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, të kenë numër të kufizuar mandatesh (3 apo 4).

Kjo është anashkaluar nga FSHF, e cila ka vendosur të aplikojë vetëm ndërthurjen e një anëtareje femër në Ekzekutiv, duke injoruar kërkesën kryesore të UEFA-s e cila për momentin është më zgjedhje të lirë, edhe pse pritet të bëhet me detyrim në një të ardhme jo shumë të largët. /vipsport.al/